Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Ne ulëm çmimin e energjisë, në Evropë taksat të këpusin në mes

Rama: Ne ulëm çmimin e energjisë, në Evropë taksat

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Tiranë me asambletë socialiste të njësive 5, 6, 13, 14 të kryeqytetit. Gjatë fjalës së tij Rama foli edhe për çmimin e energjisë. Rama u shpreh se ata ulën çmimin e energjisë, ndërkohë që në Evropë taksat të këpusin në mes.

"Ky është një moment historik për Europën, edhe për ne dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë dritare që është hapur që të vendosim Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Europian. Tani, kjo nuk është një fjalë goje dhe nuk është as abstrakte, sepse ka shumë gjëra që ne kemi gojë plot të themi, shumë gjëra.

Isha në Kombinat me Anuelën, me Blendin, patjetër që aty qartësisht ka probleme, por ama aty po punohet dhe po ndërtohet dhe po krijohen kushte të paimagjinueshme për një shtresë shoqërore familjesh, që përndryshe kurrën e kurrës nuk do arrinin dot të kishin shtëpitë që do të marrin, dhe që po i marrin dhe që do të marrin me rindërtimin dhe po i marrin falas. Dhe ishte një zonjë atje që më tha: – Unë kam djalin në Itali, është sëmurë, edhe i thashë -Po në Itali, aty ku është djali, kanë rënë tërmete para 30 vjetësh, para 20 vjetësh, para 10 vjetësh dhe njerëzit janë akoma nëpër rulota dhe Italia është vendi i G7.

Në Turqi ku ka pasur fatkeqësi të mëdha të kësaj natyre, reagimet kanë qenë shumë më shembullore se në Itali, por ama nuk ekziston, nuk ndodh shtëpi falas, nuk ndodh. Janë të gjitha me kredi e me qera. Patjetër që ekonomia jonë kërkon akoma kohë për t’u bërë e prekshme nga të gjithë, por ama 117 mijë subjekte kishte Shqipëria kur ne e morëm detyrën, 250 mijë ka sot, subjekte private. Gati dyfishuar subjektet private në Shqipëri në këtë periudhë.

Ne kemi pasur një sistem, kur kemi marrë detyrën, ku për çdo pagë kishte një taksë 10%.

Pastruesja e kryeministrisë paguante 10 % nga paga e vet, taksë, pa llogaritur sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore.

Sot, 57 % e pagave nuk kanë asnjë taksë. 57% e pagave nuk kanë asnjë taksë, 36 % e kanë taksën nga 4 deri në 10 % dhe e dini ç’ka ndodhur me këtë? Ka ndodhur që ne kemi hequr dorë, pra, kemi hequr nga arka e shtetit 140 milionë euro në vit, që i merreshin nga paga atyre që paguheshin më pak, edhe i merrte buxheti i shtetit. Ne nuk i kemi marrë më 10 vjet rresht. Janë 1.4 miliardë euro, që në vend se t’i merrte shteti, ia ka lënë njerëzve në xhep.

Tani unë e di që e mira s’ka fund, unë e di që, kur vjen puna tek ekonomia, nuk është asnjëherë shumë mirë dhe në asnjë vend të botës nuk thonë: – O jemi shumë mirë. Patjetër që kjo është një betejë e përditshme dhe e vazhdueshme. Por ama, le ta ngrejë dorën kush e mendonte që ne do të arrinim që të kishim sot pagën mesatare në sektorin publik 930 euro. Le ta ngrejë dorën, e të më thotë mua: – Po unë e kam menduar! Dhe në sektorin privat, po ashtu pagat po rriten me shpejtësi, pavarësisht se aty problematika është që nuk janë të gjitha ende të deklaruara ashtu si duhet.

Tek biznesi i vogël ne kemi të vetmin, të vetmin biznes të vogël si kategori pa taksa.

Nuk e ka asnjë vend në Ballkan, leje pastaj Europën, se mos ta diskutojmë kot, se aty taksat janë të këpusin në mes. Nuk e ka asnjë vend në Ballkan, pa taksa dhe nëse në kohën kur ne morëm detyrën, biznesi i vogël quhej një biznes me xhiron deri në, asokohe, 35 mijë euro, sot është deri 140 mijë euro xhiro, pa taksë, zero taksë deri 140 mijë euro.

Pra, këto janë hapa të padiskutueshme të një ekonomie që na jep mundësinë… Si i bëjmë ne, si arrijmë ne të shkojmë nga një bonus për pensionistët që ishte 50 mijë lekë vjetra, si shkojmë ne në një bonus si ai që dhamë i fundvitit, që në totalin e vet ishte 100 milionë euro? Po si mund të bëjmë ne dy bonuse njërin pas tjetrit? 60 e kusur milionë euro ky i dyti, sepse na jep mundësinë ekonomia. Se ne nuk presim lekë, janë paratë që mbledhim nga puna, nga prodhimi, nga të ardhurat. Janë mjaftueshëm? – Jo nuk janë mjaftueshëm, por ama janë më shumë në mënyrë domethënëse më shumë seç ishin.

Dhe në këtë, në këtë rrugë janë shumë gjëra që, që janë arsyet për të gjithë ne e para për t’u ndjerë, mirë që me cilindo na del përpara, të ballafaqohemi të themi, po, po, dakord, kjo.

Nuk është mirë, kjo nuk është mirë, kjo nuk është mirë, nuk diskutohet. Se po të ishin të gjitha mirë, ia linim dikujt tjetër të vazhdonte, po pikërisht, pse nuk janë mirë, ne jemi këtu për t’i bërë akoma mirë, por ama… Më falni, po ne kishim një sistem elektroenergjetik që në këtë orë deri një dekadë më parë, në këtë rrugë këtu, për të ardhur për të bërë këtë mbledhje, duhet ta bëje me shoqërinë e qemanes së gjeneratorit dhe kur dilje në rrugë në këtë periudhë të vitit, duhet të dëgjojë gjeneratorët që i mbanin nisur njëri-tjetrit, sepse 50% e miletit nuk e paguante energjinë.

Sot kemi arritur në 100 % arkëtime. Dhe nga ana tjetër kemi bërë uljen e parë të çmimit të energjisë, që nga viti 1990. Energjia vetëm është rritur, është rritur, është rritur. “Jo, po u këputët ju, se e ulët një lek”. Po, ulëm një lek, në nëntë lekë, nuk ulem një lek në një mijë lekë. Nga 9.5 u bë 8.5, pra u ul 10. 5%. Ky 10.5% në çdo kilovat, në fund fare për një pensionist, për një familje me të ardhura të ulëta është shumë. Pa llogaritur këtu, që ne denbabaden pensionistëve kryefamiljarë ia u subvencionojmë një pjesë të madhe të energjisë elektrike, se flasin njerëzit “energjia elektrike, ilaçet, po në qoftë se i shohim se çfarë bën shteti, çfarë bën kjo qeveri që te energjia për pensionistët, te ilaçet, janë 120 milionë euro që shteti paguan për ilaçet që të jenë të rimbursueshme dhe që të mos bien në kurrizin e njerëzve, e bën shteti atë punë. Vijmë ujë, “Tiranë s’ka ujë, Tiranë s’ka ujë”. Tiranë ka 24 orë ujë në 67% të territorit të vet. Në 67% të territorit të vet ka 24 orë ujë, dhe ky nuk është opinion. Ky është fakt i lexueshëm në të gjitha faturat e ujit. Dhe ka 17 orë mesatare në pjesën tjetër të territorit, sepse Tirana nuk është më bashkia e vogël, por është gjithë kjo, gjithë ky territor i madh. Mirëpo, po t’i kthehemi pak historisë, nuk ka pasur kurrë ujë 24 orë në fshat, as Tirana dhe asnjë vend tjetër i Shqipërisë nuk ka pasur. Dhe akoma janë ca që shkruajnë, “akoma flisni për ujë, akoma flisni për drita, akoma flisni për rrugë”. Po për çfarë të flasim, për raketa? Ne nuk është se kur morëm detyrën, na e dhanë Shqipërinë me një bazë raketash, që i kishin çuar në Hënë dhe na ra ne t’i çojmë në Mars. Kur ne e morëm detyrën në Shqipëri kishte vetëm katër zona, në gjithë Shqipërinë me furnizim 24 orë me ujë, sot janë 43 zona urbane që e kanë ujë 24 orë, janë 98 zona të tjera rurale që kanë ujë njëzet e katër orë dhe ka plot akoma patjetër se nëse do të donim të bënim ujë 24 orë për të gjithë territorin e Shqipërisë, duhet të linim pa bërë shumë e shumë gjëra të tjera se bëhet fjalë për miliarda jo për miliona, por ama, mbulimi me ujë njëzet e katër orë i pjesës më të madhe të popullsisë dhe në zonat më të përqendruara, është mënyra se si ne kemi ecur me investimet.", tha Rama./K.C/dritare.net