Rama: Inspektorët që mbyllin sytë ndaj shkeljeve në territor do të shkarkohen dhe kallëzohen penalisht
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të rrepta për inspektorët e territorit që nuk zbatojnë detyrën dhe tolerojnë shkeljet e lejeve të ndërtimit.
Ai tha se çdo inspektor që mbyll sytë ndaj abuzimeve do të përballet me shkarkim të menjëhershëm nga detyra, ndjekje penale dhe ndalim për t’u rikthyer në administratë për një periudhë të caktuar kohe.
“Ka pasur raste kur qytetarët kanë denoncuar shkelje në portalin ‘Hapësira ime Publike’ dhe ndërkohë që në terren ndërtimi ka devijuar rëndë nga leja, inspektorët bashkiakë kanë raportuar se gjithçka është në rregull. Në çdo rast që provohet një mosveprim i tillë apo mbyllje e syve, masa do të jetë largim i menjëhershëm dhe kallëzim penal,” deklaroi Rama.
Ai theksoi se çdo denoncim i qytetarëve do të trajtohet dhe lidhet direkt me inspektorët përgjegjës, duke shtuar se nuk do të ketë më raste ku ankesat e publikut injorohen.
“Çdo denoncim i provueshëm që lihet pa u trajtuar çon direkt te përgjegjësia individuale e inspektorit,” tha kryeministri./L.F-dritare.net