Rama i përgjigjet Iranit: Qeveria e Ajatallohëve të Teheranit i bashkohet protestës!
Dritare.net

Një postim i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baqaei, me pamje nga protesta e Tiranës, është cilësuar nga Kryeministri Rama si bashkimi zyrtar të qeverisë së ajatollahëve në Iran me protestuesit shqiptarë.
Rama veçon tre parullat që diplomati iranian ka shkruar në gjuhën shqipe në fund të postimit në X si “"Jo korrupsionit!" "Duam drejtësi!" apo "Rama ik!", që kreu i qeverisë shqiptare i paralelizon të njëllojta si ata që sipas tij e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!
Reagimin Rama thotë se e bën në emër të atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj apo media ndërkombëtare e individë që sipas tij dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lajme të pavërteta.
“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurrentët tanë, duke na dënuar me qëndrimin në kategorinë e dytë për kushedi sa vjet të tjera…”, shkroi Rama.
Në përgjigje, diplomatit iranian i kujton se Shqipëria është vend demokratik, ku e drejta e protestës është e garantuar dhe jo si gjaku që derdhet në Iran.
“Ju njerëz jeni vërtet të paturp! Sa i përket sovranitetit, Shqipëria nuk merr mësime mbi sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës janë kapur duke kryer sulme kibernetike kundër shërbimeve dhe institucioneve publike shqiptare, duke e çuar Shqipërinë në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin”, shkruan Rama.
Rama e akuzon edhe një herë Iranin për ndërhyrje, e cila sipas tij do të dështojë.
“Botët tuaj, profilet tuaja të rreme dhe videot tuaja të rreme mund t'i shtojnë konfuzionit të përgjithshëm dixhital helmin e regjimit tuaj të urryer, por ato nuk do të çojnë askund, sepse pavarësisht dallimeve tona midis shqiptarëve, të gjithë jemi të qartë dhe të bashkuar në pikëpamjen se çdo lloj regjimi që i mban njerëzit e tij në errësirë dhe varfëri është armiku i mënyrës sonë të jetesës, i maskuar si shqetësim. Dhe i juaji është më i keqi, një shtet terrorist sipas përkufizimit”, vijon Rama.
Për herë të parë Kryeministri Rama e akuzoi qeverinë e Iranit se po ndërhynte në protestat e Tiranës për mediat ndërkombëtare nga Mali i Zi. Rama tha se Teherani, përmes luftës hibride, po ndërton një narrativë të rreme se pas projektit në Zvërnec qëndron një marrëveshje e fshehtë.
Reagim i Esmaeil Baqaeit
Qetësohuni, zoti Kryeministër. Ishit JU, zotëri, ai që e nisi këtë. Prandaj... duhet të përballeni me pasojat! Do të ishte më e mençur të tregoni pak më shumë respekt për inteligjencën dhe gjykimin e popullit tuaj, një komb me kulturë të pasur dhe histori krenare. Ata janë mjaftueshëm të mençur për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta.
Nëse vendosni të shisni sovranitetin kombëtar të vendit tuaj, kjo është zgjedhja juaj. Nuk na detyroheni të na jepni shpjegime. Por kur përballeni me zemërimin dhe kritikat e publikut tuaj, ju lutem mos përdorni të tjerët si kokë turku për t’iu shmangur përgjegjësisë.
Në vend që të shkruani një pamflet të gjatë, të mbushur me akuza të konsumuara dhe të pabazuara kundër Iranit, ndaluni për një moment dhe dëgjoni zërin e qytetarëve tuaj që po protestojnë në rrugë: "Jo korrupsionit!" "Duam drejtësi!" "Rama ik!".
Reagimi i Edi Ramës
Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë! Bashkëngjitur replika ime edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysëm të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha!
Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë, duke na dënuar me qëndrimin në kategorinë e dytë për kushedi sa vjet të tjera…
Oh, të dashur, ju vërtet nuk keni turp!
Gjithsesi, ju falënderojmë për shqetësimin që tregoni për inteligjencën e popullit shqiptar.
Do të ishte shumë më bindëse nëse kjo do të vinte nga përfaqësues të një regjimi që nuk i godet sistematikisht qytetarët e vet me censurë, frikësim, ndërprerje të internetit dhe shtypje të mendimit ndryshe.
Sa i përket sovranitetit, Shqipëria nuk merr leksione për sovranitetin nga një qeveri, agjentët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike ndaj shërbimeve publike dhe institucioneve shqiptare, çka çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.
Ju citoni protestues shqiptarë që thërrasin në rrugë. Shumë mirë. Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë Kryeministrin, të kërkojnë drejtësi dhe të bëjnë thirrje për zgjedhje pa pasur frikë nga burgosja.
A mund të thuhet e njëjta gjë për njerëzit në emër të të cilëve pretendoni se flisni?
Dhe është veçanërisht domethënëse që ju keni zbuluar papritur një shqetësim kaq të thellë për protestuesit në Tiranë, ndërkohë që gjaku i dhjetëra mijëra qytetarëve tuaj rëndon mbi ndërgjegjen e regjimit tuaj, ndërsa të panumërt të tjerë vazhdojnë të vuajnë përndjekjen, shtypjen dhe burgosjen, dhe ndërsa dhjetëra miliona njerëz mbeten të bllokuar në kushte që i përkasin më shumë Mesjetës sesa shekullit të njëzetenjëtë.
Populli shqiptar është vërtet mjaftueshëm inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Pikërisht për këtë arsye ai e dallon ndryshimin mes një argumenti demokratik dhe propagandës.
Bot-et tuaja, profilet tuaja të rreme dhe videot tuaja “deepfake” mund t’i shtojnë konfuzionit të përgjithshëm digjital edhe helmin e regjimit tuaj urrejtës, por nuk do të arrijnë askund, sepse pavarësisht dallimeve që mund të kemi mes nesh si shqiptarë, ne jemi të gjithë të qartë dhe të bashkuar në bindjen se çdo lloj regjimi që i mban qytetarët e vet në errësirë dhe varfëri është armik i mënyrës sonë të jetesës, i maskuar si shqetësim.
Dhe regjimi juaj është më i keqi nga të gjithë: një shtet terrorist, sipas vetë përkufizimit.