Greqia ashpërson politikën ndaj emigracionit, debat i fortë në Kuvend
Dritare.net

Tension dhe akuza të ndërsjella shkaktoi deklarata e ish-ministrit dhe deputetit të Demokracisë së Re, Makis Voridis, i cili gjatë debatit në Parlament për paktin e ri të migracionit shtroi pyetjen retorike: “A do ta fundosim barkën apo jo?”. Kjo deklaratë shkaktoi reagime të forta nga partitë e majta.
Qeveria greke ka paraqitur në Parlament projektligjin për zbatimin e Paktit Evropian për Migracionin dhe Azilin, duke nisur zyrtarisht zbatimin në Greqi të politikës së re dhe më të ashpër evropiane për emigracionin.
Gjatë mbrojtjes së projektligjit të ministrit të Migracionit, Thanos Plevris, Voridhis përdori shembullin e “fundosjes së barkës” si një dilemë teorike, gjë që u interpretua nga opozita si një qasje e papranueshme.
Më vonë, Voridhis u përpoq të sqarojë deklaratën e tij:
“Ajo që thashë ishte nëse preferohet pakti i ri apo fundosja e një barke. E përmenda si një dilemë për diskutim dhe jo si qëndrim.”
Ai theksoi se bëhej fjalë për një krahasim teorik dhe jo për një propozim real, por sqarimi i tij nuk arriti të qetësonte reagimet politike.
Reagime të ashpra nga opozita
Zëdhënësi parlamentar i PASOK-ut, Dimitris Mantzos, deklaroi se:
“Nuk mund të diskutohet në Parlament nëse duhet të fundoset një barkë apo jo. Vetë pyetja është e papranueshme dhe bie ndesh me shtetin e së drejtës.”
Ai akuzoi qeverinë për përdorimin e një “retorike të skajshme të djathtë”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi parlamentar i SYRIZA-s, Christos Giannoulis, akuzoi qeverinë se po krijon përshtypje të rreme për çështjen e emigracionit.
Edhe përfaqësuesi i partisë Plefsi Eleftherias, Alexandros Kazamias, reagoi ashpër duke deklaruar:
“Fundosja e barkave ose qëllimi ndaj tyre mund të konsiderohen masa parandaluese, por ato nuk mund të zbatohen me metoda brutale dhe në shkelje të shtetit të së drejtës.”
Debat edhe për referencat historike
Debati u tensionua më tej kur deputeti i Demokracisë së Re, Dimitris Kairidis, mbrojti politikat e qeverisë dhe u përpoq të lidhte Konventën e Gjenevës për Refugjatët me ngjarjet në Hungari në vitin 1956.
Megjithatë, opozita vuri në dukje se kjo referencë ishte historikisht e pasaktë, pasi Konventa e Gjenevës u miratua nga OKB-ja në vitin 1951, pesë vjet përpara kryengritjes hungareze të vitit 1956.
Çfarë parashikon projektligji i Plevrisit?
Projektligji për Paktin Evropian mbi Migracionin dhe Azilin, i cili u votua në Parlament, hyn në fuqi më 12 qershor.
Sipas qeverisë greke, objektivat kryesore janë:
-forcimi i mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian;
-përshpejtimi i procedurave të azilit;
-rritja e numrit të kthimeve dhe dëbimeve të emigrantëve me kërkesa të refuzuara për azil.
Debati tregoi ndarjet e thella politike në Greqi lidhur me trajtimin e emigracionit, në një periudhë kur qeveria po ndjek një linjë dukshëm më të ashpër ndaj migracionit të paligjshëm./dritare.net