Portali i Fermerit / Rama prezanton platformën EuroAgro, mjeti i ri për bujqësinë shqiptare!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë në 2030” së bashku me ministrin e Bujqësisë Andis Salla, ku do të prezantohen mekanizmat praktike me qëllim përmbushjen e reformave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kryeministri thotë se financimi i projekteve bujqësore nuk do të jetë çështje parash. Projektet e duhura dhe garancitë për zbatimin e tyre do të financohen patjetër.
Do të vëmë në dispozicion bujqësisë shqiptare, fermës dhe atyre që duan të jetojnë me tokën, një fakt: për askënd nuk do të jetë çështje lekësh, fondesh, për gjithkënd do të jetë çështje e projektit të duhur dhe e garancive të duhura të dijes për zbatimin e projektit. Çdo projekt që do të jetë i duhuri dhe që do të mbështetet me dije nga ana e çdo aplikanti, as nuk diskutohet që do të financohet në një mënyrë ose në një tjetër.
Duke falënderuar ministrin për platformën kombëtare si përmbushje të asaj që ai ka kërkuar, Rama tha:
Euro Agro Albania nuk është një faqe e re interneti, por një instrument të cilin të gjithë ju që janë në fermë dhe duan të rrisin eksportet, prodhimin, cilësinë, kapacitetet, fondet në dispozicion të projekteve të tyre duhet ta marrin, ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një instrument të punës së përditshme. Është udhërrëfyes për të gjithë ju në çdo hap të procesit të negociatave, është burim informacioni për standarde, afate e detyrime konkrete. Është një kanal dialogu, secili mund të hyjë dhe të komunikojë, të pyesë e të marrë përgjigje për aspekte të problematikës që përballet. Është edhe një mjet koordinimi që garanton mes jush e nesh ka ndërveprim të vazhdueshëm. Unë shpresoj që të jetë edhe UBT sepse është një derë e re, e hapur për të gjithë ju.
Më tej, ai pati një këshillë për fermerët e prodhuesit që synojnë tregun europian.
Mos lini ditë të kalojë pa investuar te mendja e kompanisë, fuqia njerëzore, pa trajnuar dhe përditësuar dijen. Mos lini ditë të kalojë pa sjellë në kompani diçka të re, sado të vogël në aspektin e të mësuarit sepse dija është ajo që kur ka munguar, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e menjëhershëm të hapjes së dyerve të BE. Thjesht të vendoset dryni dhe nuk t’i pranon më njeri ato që prodhon. Pse? Sepse nuk je më si sot që je fermer e eksportues që prodhon jashtë BE dhe kontrollohesh para se të hysh atje.
Kryeministri përshkroi edhe hapat konkretë që do të ndiqen për modernizimin e bujqësisë.
Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administratave të kontrollit. Do të finalizojmë regjistrin kombëtar të fermave, parcelave dhe kafshëve. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE-ja. Sot kemi një nivel komplet tjetër të cilësisë së analizave, por na duhet të përfundojmë projektin dhe do të shtyjmë fort për sistemin e shërbimeve këshillimore në terren, ku do të mbështetemi tek Universiteti Bujqësor i Tiranës./dritare.net