Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Policia publikon masat për sezonin turistik. Çfarë ndryshon këtë vit!

Policia publikon masat për sezonin turistik. Çfarë ndryshon

Policia e Shtetit ka prezantuar planin e posaçëm të masave për sezonin turistik veror 2025, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike të vendit. Plani i masave përfshin një sërë veprimesh dhe risi që synojnë mbrojtjen e pushuesve dhe lehtësimin e qarkullimit gjatë muajve të verës.

Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit shërbimi 12-orësh do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare, ndërsa në ndihmë të policive vendore do të dërgohen forca shtesë që do të kompensohen sipas ligjit.

Në terren janë angazhuar:

Dhjetëra automjete dhe motomjete për reagim të shpejtë;
Punonjës policie me biçikleta që patrullojnë në plazhe;
Njësia Policore Detare për monitorimin e lundrimeve të rrezikshme;
Dronë për survejim të zonave bregdetare dhe evidentim të shkeljeve rrugore.
Policia Kufitare ka shtuar sportelet dhe personelin në pikat e kalimit kufitar për të menaxhuar fluksin e turistëve, ndërkohë që janë intensifikuar kontrollet në kufijtë tokësorë dhe detarë për të parandaluar kalimet e paligjshme dhe veprimtaritë kriminale.

Edhe Policia Rrugore do të jetë në gadishmëri të plotë 24/7, e pajisur me mjete inteligjente, dronë dhe alkooltestues. Gjithashtu, nga data 16 qershor deri më 15 shtator, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda për transport mallrash gjatë fundjavave dhe ditëve të pushimit zyrtar.

Në fokus të veçantë është edhe zbatimi i rregullave të qetësisë publike. Punonjësit e Policisë janë tashmë të pajisur me aparate matëse të zhurmës për të kontrolluar orarin dhe volumin e muzikës në zonat turistike, si dhe për të ndëshkuar shkelësit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërinstitucional. Policia ka vendosur lidhje të ngushta me pushtetin vendor, agjencitë turistike, vrojtuesit e plazheve dhe emergjencat shëndetësore e civile, për të garantuar sigurinë maksimale.

Po vijon gjithashtu operacioni “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zëna në mënyrë të paligjshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e grupeve monitoruese që do të kontrollojnë zbatimin e Kodit të Etikës nga çdo efektiv në komunikim dhe sjellje gjatë kryerjes së detyrës.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112./L.F-dritare.net