Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pezullimi i Ballukut. Publikohet letra e qeverisë drejtuar Kushtetueses!

Pezullimi i Ballukut. Publikohet letra e qeverisë drejtuar Kushtetueses!

Këshilli i Ministrave i është drejtuar më 21 nëntor Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Qeveria argumenton se ky vendim cenon kompetencat e tre institucioneve kushtetuese: Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit, dhe kërkon pezullimin vetëm të pjesës që lidhet me largimin nga detyra, duke theksuar se akti prek interesa të larta shtetërore dhe shoqërore, si dhe të vetë individëve të përfshirë.

Sipas letrës, pezullimi i Ballukut mund të krijojë vakuum institucional, duke penguar propozimin dhe miratimin e projekteve të rëndësishme kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, përfshirë rreth 800 projekte që pritet të miratohen deri në fund të vitit 2027.

Katër kërkesat e Ramës për Gjykatën Kushtetuese:

"1-Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
2-Shfuqizimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve që Kushtetuta ka caktuar si autoritete për propozuar, emëruar dhe miratuar ministrat.
3-Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.
4-Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që "Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, të njohura jo vetëm nga Kushtetuta, por edhe nga legjislacioni procedural penal."
Kryeministri vlerëson se vendimi i GJKKO-së është antikushtetues për arsyet e mëposhtme:

"-Cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave.
-Cenon parimin e ndarjes së pushteteve, duke pezulluar një ministër si organ kushtetues të pushtetit ekzekutiv dhe penguar veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
-Ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat."

Qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO-së vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, duke argumentuar se vendimi prek interesa të larta shtetërore, shoqërore dhe individuale.

Sipas letrës, lënia në fuqi e vendimit do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen, duke krijuar vakuum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e kompetencave të pushtetit ekzekutiv. Pezullimi i një ministri ose zëvendëskryeministri, përveç që pengon funksionimin kolegjial të Këshillit të Ministrave, ndalon ushtrimin e përgjegjësive të tyre, duke rrezikuar realizimin e projektaktit me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian./K.C/dritare.net