Eksodi i ’91-shit kthehet në film. Regjisori sjell një histori që nuk duhet humbur
Dritare.net

Në një intervistë për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, regjisori dhe producenti Antonjo Gjonaj ndau detaje emocionuese rreth filmit të tij më të ri, 'Tre Destini', i cili shënon një moment historik për kinematografinë shqiptare.

Me premierë të dyfishtë në New York dhe Torino, filmi synon të rrëfejë një histori thellësisht shqiptare për një audiencë globale. Filmi trajton sagën e tre fëmijëve shqiptarë që emigrojnë në vitin 1991 me anijen ikonike 'Vlora'.
Rrugët e tyre ndahen, duke i çuar në fate të ndryshme, por fati i tyre mbetet i lidhur përmes një konspiracioni që ka në qendër ADN-në e tyre shqiptare. "Jam përpjekur të bëj diçka sa më tipike shqiptare, diçka ndryshe dhe që i përshtatet tregut internacional.", shpjegoi Gjonaj, duke theksuar se filmi prek tema universale duke ruajtur thelbin e identitetit kombëtar.

Gjatë bisedës, u theksua rëndësia historike e eksodit të anijes 'Vlora', një ngjarje që simbolizon dëshirën për liri dhe sakrificat e një kombi të tërë. Gjonaj e cilësoi veprën e kapitenit të anijes si heroike, duke shtuar se historia shqiptare është plot me akte të tilla kurajoje që meritojnë të tregohen.

Një aspekt kyç i projektit është ambicia e tij ndërkombëtare. Filmi, i xhiruar në italisht, është dubluar tërësisht në anglisht nga një studio prestigjioze që bashkëpunon me Netflix, duke siguruar një standard të lartë produksioni.
'Ideja ime ishte që atë që do realizoj, ta bëj në mënyrë të tillë që të kem mundësi t'ia tregoj gjithë botës,' tha regjisori.

Kasti i filmit është një tjetër pikë e fortë, duke bashkuar aktorë nga treva të ndryshme shqipfolëse. Një nga emrat më të spikatur është kampioni i MMA-së me famë botërore, Vilson Ndregjoni, i cili debuton në aktrim.
Gjonaj foli edhe për rrugëtimin e tij personal, nga largimi prej Shqipërisë në 2009, studimet në Itali, e deri te vendosja në SHBA, ku falë miqësisë dhe mbështetjes së komunitetit, po hedh hapat për të krijuar produksione të reja.

Antonjo Gjonaj theksoi se ky film është projekti i parë i një producenti dhe regjisori shqiptar që realizohet nga A-ja te Zh-ja dhe shfaqet në kinematë europiane, duke ndryshuar 'rregullat e lojës'.
Ai i ftoi të gjithë shqiptarët në Itali dhe Amerikë të mbështesin filmin, duke e parë atë si një arritje për të gjithë kombin. Pas premierave ndërkombëtare, 'Tre Destini' pritet të mbërrijë edhe në kinematë shqiptare në shkurt të vitit të ardhshëm./K.C/dritare.net