Përplasje në Ngushticën e Hormuzit, Trump: Armëpushimi me Iranin ende në fuqi
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit vazhdon të mbetet në fuqi, pavarësisht tensioneve të reja dhe shkëmbimit të zjarrit në Ngushticën e Hormuzit, një nga zonat më strategjike për transportin global të naftës.
Sipas ushtrisë amerikane, forcat iraniane kanë sulmuar me raketa, dronë dhe mjete të vogla detare tre anije luftarake amerikane në rajon. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) e cilësoi sulmin si “të paprovokuar”, duke bërë të ditur se forcat amerikane kanë neutralizuar kërcënimet dhe kanë goditur objektiva ushtarake iraniane të lidhura me sulmet.
Nga ana tjetër, Irani akuzon SHBA-në për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se avionë amerikanë kanë goditur zona bregdetare iraniane, përfshirë Bandar Khamir, Sirik dhe ishullin Qeshm, si dhe kanë sulmuar anije pranë Ngushticës së Hormuzit. Autoritetet iraniane deklaruan se iu përgjigjën menjëherë sulmeve duke shkaktuar “dëme të konsiderueshme” ndaj forcave amerikane.
Në një reagim në rrjetin Truth Social, Trump tha se SHBA ka shkatërruar disa mjete detare iraniane dhe paralajmëroi se Uashingtoni do të reagojë edhe më ashpër nëse Teherani nuk pranon marrëveshjen për programin bërthamor.
Ndërkohë, tensionet vijnë në një moment kur po zhvillohen përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Sipas mediave amerikane, Shtëpia e Bardhë po punon për një memorandum me 14 pika që mund të hapë rrugën për negociata të reja bërthamore me Iranin. Megjithatë, zyrtarë iranianë kanë hedhur poshtë propozimin, duke paralajmëruar se vendi është gati për një “përgjigje të ashpër” në rast të përshkallëzimit të situatës./L.F-dritare.net