Pas 14 vjetësh, Ikonat e vjedhura të Labovës së Kryqit kthehen në shtëpi
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti Fortlumturinë e tij Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanin.
Pas 14 vitesh mungesë, falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë institucional midis Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ikonat kthehen aty ku përkasin.
Gjatë takimit thanë:
Fjala e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja:
"Sot kam kënaqësinë të mirëpres një vizitor të veçantë në Ministrinë tonë, Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin Joan. Për një arsye sa kulturore dhe shpirtërore.
Falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, u bë i mundur shpëtimi nga trafikimi i pasurive me vlera kulturore kombëtare.
Ekspertët identifikuan 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, të cilat sot po i rikthehen Kishës Ortodokse pas 14 vitesh mungesë.
Jo vetem u “shpëtuan” nga trafikimi pasuritë kulturore, por është edhe një shembull shumë domethënës suksesi, i cili dëshmon qartë se sa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin.
Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore.
Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit dhe me Kryepeshkopin dhe të gjitha komunitetet e tjera fetare, do të vijojë pa ndërprerje, me qëllim gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të deklaruara të humbura, në një angazhim të pa kompromis për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Qëllimi ynë është i qartë, të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore, ta restaurojmë dhe t’i japim identitetin e merituar vendit tonë në këtë mozaik unikal të trashëgimisë kulturore.
Fjala e Fortlumturisë së tij, Kryepeshkopit Joan
Jam i gëzuar që ndodhem këtu, për rikthimin e një pjese shumë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Dua të falenderoj të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë, dhe sidomos jam shumë mirënjohës ndaj Ministrit, i cili pati angazhimin, dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse. Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pashaportat tona edhe për identitetin tonë europian, e të kulturës europiane. Besoj se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej për të mirën e të gjithëve. I falenderoj të gjithë edhe njëherë ata persona të cilët i gjetën dhe i kthyen përsëri në vendin e tyre këto ikona kaq shumë të rëndësishme. Faleminderit!"./L.F-dritare.net