
Orë vendimtare për partitë, sot afati fundit për dorëzimin e listave për deputetë!
Dritare.net
Orë vendimtare për partitë politike, të cilat në mesnatë duhet të dorëzojnë në KQZ listat me 186 kandidatë për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. 46 emra për listën e mbyllur dhe 140 për listën e hapur.
Si në kampin blu, ashtu edhe tek ai socialist ende nuk ka një listë përfundimtare, por ‘vula’ për emrat jepet këtë pasdite ku partitë kanë thirrur në takime strukturat.
Kryesocialisti Rama mbledh në 19:00 Kryesinë e PS, ndërsa para mbledhjes do të zhvillojë një takim me drejtuesin politik për diasporën, Taulant Ballën. Në këtë takim përveç bilancit të punës që është bërë deri më tani, pritet të diskutohet edhe për emra potencialë që mund të vijnë nga diaspora.
Shumica e grupit parlamentar të PS pritet të jetë në listën e hapur, pasi kryeministri Rama deklaroi se ata që kanë fituar qoftë edhe një mandat nën siglën e PS do jenë listën e hapur, përveç drejtuesve politikë të qarqeve. Ndërkohë, surprizë mbetet vendimi i kryesocialistit Edi Rama, i cili për herë të parë tha se mund të mos kandidojë fare si deputet.
Në ndryshim nga socialistët, Sali Berisha pritet që më listën e mbyllur të fusë emra besnikë të tij. 8 vende të sigurta ua ka premtuar aleatëve të koalicionit opozitar “PD- Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. 4 prej tyre i merr Partia e Lirisë, ndërsa nga 1 ndahet për Mediun, Dulen, Idrizin dhe Dukën.
Për vendosjen përfundimtare të listave sot në orën 17:00 mblidhet Kryesia e PD dhe në orën 19:00 mblidhet Këshilli Kombëtar. Vetë Berisha pritet të jetë në listë të mbyllur në Tiranë, ndërsa Ilir Meta refuzoi nga burgu ofertën e Berishës për ta futur në listë të mbyllur dhe deklaroi se do të garojë në listë të hapur.
“PD Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ka bërë bashkë në ombrellën e vet çamët e grekët, parti anonime konservatorësh e ballistësh por edhe aleatët e vjetër.
Në këto zgjedhje, përveç koalicionit të Berishës me aleatët, kemi edhe bashkimin mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, si edhe Enkelejd Alibeajt dhe Dashamir Shehit. 5 parti kryesore garojnë më vete, ndërsa 17 parti të thera 'fantazmë' janë regjistruar por pritet të shihet nëse të gjitha do të depozitojnë emra me kandidatë për deputetë për gjithë Shqipërinë.
Në zgjedhje pritet fletë votimi gjigande, ndërsa nëse gjitha subjektet e regjistruara do dorëzojnë kandidatë, KQZ është e papërgatitur se si do të veprohet me fletën e votimit./E.P-dritare.net

















