

Gaza është zyrtarisht në zi buke. Për herë të parë në historinë moderne të Lindjes së Mesme, një rajon është shpallur në gjendje famine nga sistemet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore të mbështetura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Shpallja u bë përmes Integrated Food Security Phase Classification (IPC), një strukturë e përbashkët mes FAO, WFP, UNICEF dhe partnerëve të tjerë globalë, që monitoron krizën ushqimore në botë.
Sipas IPC, mbi 500,000 persona janë aktualisht në gjendje urie ekstreme, ndërsa numri mund të arrijë 641,000 deri në fund të shtatorit, nëse nuk ndërhyhet me ndihma të menjëhershme humanitare.
Raporti thekson se gjendja më kritike është në Gaza por po përhapet me shpejtësi edhe në Deir al‑Balah dhe Khan Younis. Shumica e viktimave janë fëmijë dhe gra, të cilët përballen me nivele kritike të kequshqyerjes dhe mungesës së aksesit në ujë të pastër apo ndihmë mjekësore.

Thirrja e OKB-së: Kriza mund të shmanget vetëm me armëpushim
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e quajti situatën në Gaza një katastrofë njerëzore dhe theksoi se kjo gjendje "nuk është pasojë e natyrës, por e veprimit njerëzor". Ai kërkoi armëpushim të menjëhershëm dhe leje për akses të pakufizuar humanitar, në mënyrë që të shpëtohen jetë.
Ai tha se:
Termi uri është shtuar tashmë në përshkrimin e ferrit të gjallë në Gaza.
Kjo krizë nuk është aksident, por një dështim moral dhe njerëzor i qëllimshëm.
Izraeli ka detyrime ligjore ndërkombëtare për të siguruar ushqim dhe ndihmë për popullsinë civile.
Kërkoi armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjitha pengjeve dhe akses të pakufizuar humanitar.
E përmbylli me mesazhin: Mjaft me justifikime. Koha për veprim është tani.
Izraeli mohon shpalljen: Raport i rremë
Qeveria izraelite ka reaguar menjëherë pas publikimit të raportit, duke e cilësuar shpalljen e famine-s si “të pavërtetë” dhe “të motivuar politikisht”. Sipas burimeve zyrtare izraelite, shpërndarja e ndihmave është bërë e mundur nëpërmjet korridoreve humanitare, por OKB dhe agjencitë humanitare e kundërshtojnë këtë pretendim, duke theksuar se bllokada e gjatë dhe bombardimet kanë pamundësuar çdo lloj ndërhyrjeje efektive.
Shpallja e zi buke në Gaza është një kambanë alarmi për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Është hera e parë që një raport i nivelit kaq të lartë deklaron “famine” zyrtare në një zonë të urbanizuar dhe të dendur si Gaza, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për jetët e mijëra civilëve të bllokuar brenda saj.
Organizatat humanitare po bëjnë thirrje për ndërhyrje të koordinuar ndërkombëtare, duke theksuar se “çdo orë pa ndihmë kushton jetë njerëzish.
Ky lajm është përgatitur në bazë të burimeve të konfirmuara ndërkombëtare dhe raportimeve të mediave të mëdha globale si The Guardian, Reuters, BBC /E.P-dritare.net

















