
Van Damme flet pas vrasjes shqiptarit në Belgjikë: Humba një njeri të madh
Dritare.net
Aktori i njohur i filmave të aksionit, Jean Claude Van Damme, ka reaguar i tronditur për vrasjen e 61-vjeçarit shqiptar Ndue (Noel) Mylyshi, i cili humbi jetën disa ditë më parë në Anderleht të Belgjikës.
Në një video-mesazh nga një spital në Francë, ku po rikuperohej pas një operacioni në shpinë, Van Damme shprehu ngushëllimet e tij për familjen e mikut të ndjerë. “Sapo kam humbur një mik të madh, Noel Mylyshi nga Shqipëria. Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e tij”, u shpreh aktori, teksa në shenjë respekti u ngrit në këmbë dhe bëri simbolin e shqiponjës.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në mbrëmje në lagjen Itterbeek të Anderleht-it, ku Mylyshi, pronar i lokalit “Maison Haute”, u qëllua me armë zjarri pas një konflikti me qiramarrësin e apartamentit që kishte sipër kafenesë. Sipas autoriteteve, qiramarrësi ishte dëbuar më herët gjatë ditës dhe kishte kërcënuar se do të kthehej. Rreth orës 20:30 ai hapi zjarr ndaj 61-vjeçarit, i cili ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve.
Policia arrestoi menjëherë autorin e dyshuar, ndërsa përjashtoi pistën e trafikut të drogës, duke e lidhur ngjarjen me një mosmarrëveshje personale.
Banorët e zonës dhe miqtë e Noel Mylyshit e kujtojnë atë si një njeri të qetë, të ndihmshëm dhe të respektuar në komunitet. Dhjetëra mesazhe ngushëllimi janë shpërndarë në rrjetet sociale për familjen e tij./L.F-dritare.net
View this post on Instagram

















