Nis pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout në Laç, plan masash për sigurinë e besimtarëve
Dritare.net

Këtë të martë ka nisur pelegrinazhi 13-javor në Kishën e Shna Ndout në Laç, një nga vendet më të rëndësishme të besimit katolik në Shqipëri.
Që në orët e para të mëngjesit, qindra besimtarë nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga trojet shqiptare, iu drejtuan kishës në kodrën e Laçit për të kryer lutjet e tyre për shëndet, paqe dhe mbarësi në familje. Si çdo vit, pelegrinazhi do të zhvillohet çdo të martë për 13 javë radhazi, duke mbledhur mijëra pelegrinë.
Paralelisht me nisjen e pelegrinazhit, Policia e Lezhës dhe ajo e Kurbinit kanë hartuar një plan të posaçëm masash për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tij.
Sipas njoftimit zyrtar, objektivat kryesore të këtij plani janë parandalimi i ngjarjeve kriminale, menaxhimi i fluksit të lëvizjes së besimtarëve, shmangia e bllokimeve në trafik dhe parandalimi i aksidenteve rrugore.
Në zbatim të këtyre masave, shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur përgjatë aksit “Autostradë–Laç” deri në Kishën e Shna Ndout, me qëllim orientimin e qarkullimit dhe lehtësimin e lëvizjes. Po ashtu, prani policore ka në kryqëzimet kryesore në Patok, pranë Gjykatës në Laç, në afërsi të varrezave të qytetit, si dhe në hyrje dhe dalje të vendparkimeve pranë kishës.
Forca të shumta policore janë dislokuar edhe në segmentin malor të rrugës, ku rreziku për krijimin e bllokimeve është më i lartë, ndërsa patrullat e Rendit Publik, Policia Rrugore dhe strukturat e Policisë Kriminale janë angazhuar për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit.
Policia u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë udhëzimet e dhëna në terren, për të shmangur vonesat dhe për të mundësuar një pelegrinazh të qetë dhe të sigurt.
Autoritetet gjithashtu apelojnë që për çdo nevojë apo rast paligjshmërie, qytetarët të kontaktojnë në çdo kohë Policinë e Shtetit./K.C/dritare.net