Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nikollë Lesi: Me Berishën 82-vjeçar, opozita nuk fiton kurrë. Protesta e së hënës, e dhunshme!

Nikollë Lesi: Me Berishën 82-vjeçar, opozita nuk fiton

I ftuar në emisionin “Shqip nga Dritan Hila” në DritareTV, publicisti dhe botuesi Nikollë Lesi u shpreh se Sali Berisha ka pasur një rol historik në politikën shqiptare, por sot e ka përfunduar ciklin e tij politik. Sipas Lesit, Berisha mbetet burrë shteti vetëm në fazën e parë të karrierës së tij, ndërsa vijimi i tij në politikë po dëmton opozitën.

“Historia shqiptare nga Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, vjen te Sali Berisha i parë, i cili mbetet burrë shteti të paktën deri nga vitet 2005–2009. Por për mua Berisha e ka mbaruar epokën e tij dhe sot vetëm po degradon emrin që ka pasur. Një analizë e ftohtë për Berishën bëhet pas 50 vjetësh, jo sot, sepse është shumë afër në kohë.”

Lesi theksoi se, pavarësisht akuzave, disa vepra të Berishës mbeten të rëndësishme, duke veçuar “Rrugën e Kombit”, por shtoi se mosha dhe konsumimi politik e bëjnë të pamundur rikthimin e tij si lider opozite.

“Rruga e Kombit mbetet një gjë e veçantë, ishte një aventurë e madhe dhe vetëm Berisha mund ta bënte atë ide, por 82 vjeç kryetar partie është absurditet. Ai mund të shkojë edhe 105 vjeç dhe të mbetet kryetar PD-je, duke zhvlerësuar edhe kauzat e drejta që ngre.”

Duke folur për situatën politike aktuale, Lesi u shpreh se në një vend normal qeveria do të kishte rënë, por kjo nuk ndodh për shkak të dobësisë së opozitës.

“Në një vend normal demokratik, qeveria do të kishte dhënë dorëheqjen, por kjo nuk ndodh sepse nuk ka opozitë të besueshme. Janë 23–27% votues gri që mund ta rrëzojnë shumicën, por si t’i bindësh me doktorin?”

Në lidhje me protestën e paralajmëruar, Lesi shprehu shqetësimin se ajo mund të dalë jashtë kontrollit dhe të mos sjellë rezultat politik.

“Ka sinjale që protesta mund të jetë e dhunshme, flitet për përplasje me policinë, por protesta mobilizon 400 apo 500 veta dhe nuk krijon frymë për qindra mijëra votues. Pa një lider të ri, energjik dhe të besueshëm, ndryshimi nuk vjen.”, tha Lesi në DritareTV./K.C/dritare.net