Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga Parku i ri Teknologjik tek Unaza e Madhe e Piramida, Veliaj tregon projektet madhore për Tiranën

Nga Parku i ri Teknologjik tek Unaza e Madhe e Piramida, Veliaj tregon projektet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tregoi disa nga projektet madhore për Tiranën, për të cilën tha se po ecën me hapa galopantë drejt së ardhmes.

“Me ardhjen e studentëve në Tiranë duam që të hapim një pjesë të madhe të konvikteve që kemi përgatitur për ta. Bëhet fjalë për konviktet te Universiteti Bujqësor. Aty janë 8 godina, ku 2 do të përdoren për konvikte, sepse aq është kërkesa, dhe 6 të tjerat do i vëmë në dispozicion për ta kthyer në një pol të një parku teknologjik, ku shumë prej kompanive të IT-së që punojnë në Tiranë, t’i heqim nga apartamentet e qytetit dhe t’i transferojmë aty. Kemi filluar dorën e fundit të punimeve që kanë të bëjnë me shkallët, fasadën dhe do të vijnë edhe panelet prej xhami të Piramidës. Do të maksimizojmë punët fizike, sa të na mbajë koha dhe në pranverë të vitit tjetër do ta hapim për regjistrimet për të filluar punën te Piramida. Gjithashtu bashkë me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku kemi nisur punën për të hapur trasenë e Unazës së Madhe. Secili prej qytetarëve do të trajtohet me bonus qiraje, pastaj me një apartament. Jo të vonohemi si te Astiri, ku ata që kanë protestuar sot po përfitojnë, sepse buzë pallatit të tyre kalon një autostradë që i rrit vlerën pronës dhe vendit. Tirana po ecën me hapa galopantë”, u shpreh Veliaj.

Veliaj ka komentuar edhe çështjen e financimeve ruse në Partinë Demokratike. Duke folur për Report TV, Veliaj tha se opozita është tashmë në ditët e veta më të vështira, por qytetarët nuk duan të dëgjojnë as për financimet ruse të Lulit, as për non gratam e Berishës dhe as për të kaluarën e Metës si bashkëpunëtor i ish-sigurimit.

“Opozita është tashmë në ditët e saj më të vështira. Por dua që njerëzit që na shohin të dëgjojnë kryetarin e bashkisë që flet më shumë për hallet e tyre, se për hallet e Lulit apo të Saliut, që është non grata, apo të Ilir Metës që është spiun. Këta kanë probleme të rënda, qofte Luli me financimet ruse, qofte Berisha me non gratën, qofte Ilir Meta me të kaluarën e tij. Po këto nuk janë hallet e shqiptarëve, këto janë hallet e tre vetëve. Hallet e Lulit me rusët, të Saliut me amerikanët si non grata, dhe të Ilir Metës me ish sigurimin, janë problemet e tre njerëzve që mundohen t’ia vënë shoqërisë, sikur janë hallet e shoqërisë. Këto janë hallet e tyre personale. Kështu që, secili duhet t’i zgjidhë vetë hallet, me drejtësinë apo me shtetet ku i kanë këto halle””, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se misioni dhe fokusi i tij është që të merret me zgjidhjen e problemeve konkrete të qytetarëve. “Misioni ynë është që të punojmë për probleme konkrete. Ndaj edhe fokusin e kam pasur këtë fillimviti tek shkollat. Kur fokusohemi tek problemet konkreteve, vendi ecën përpara. Kur mundohemi që t’i shtojmë halleve tona, edhe hallet e Lulit, të Saliut, dhe të Ilir Metës, praktikisht po e ngarkojmë veten me problemet e tyre personale, por jo me hallet e njerëzve të thjeshtë”, nënvizoi Veliaj./dritare.net