Nëse do të kuptosh Krishtlindjet, lexo këtë histori!
Dritare.net

Krishtlindja shpesh shihet si koha e mirësisë dhe solidaritetit, por për Rob dhe Dianne Parsons ajo e vitit 1975 ndryshoi jetën përgjithmonë. Më 23 dhjetor, në prag të festës, një trokitje në derën e shtëpisë së tyre në Cardiff solli një histori njerëzore që do të zgjaste 45 vjet.
Në pragun e derës qëndronte Ronnie Lockwood, një burrë i pastrehë, me një qese plastike me sendet e tij dhe një pulë të ngrirë në dorë – dhuratë për Krishtlindje nga dikush i panjohur. Pa shumë mendime, Rob tha dy fjalë që do të ndryshonin gjithçka: “Hyr brenda”.

Ajo që nisi si një gjest i thjeshtë human – një darkë Krishtlindjeje, një banjë e ngrohtë dhe një shtrat për natën – u shndërrua në një bashkëjetesë të gjatë, të mbushur me dashuri, sfida dhe përkushtim. Ronnie, i cili ishte nxjerrë nga sistemi i kujdesit që në adoleshencë dhe kishte jetuar për vite në rrugë, gjeti për herë të parë ndjenjën e familjes.

Me kalimin e viteve, Rob dhe Dianne e ndihmuan Ronnie-n të gjente punë, ta rindërtonte jetën dhe të bëhej pjesë aktive e komunitetit. Ai u përfshi në jetën familjare, ndihmoi në rritjen e fëmijëve të tyre dhe u bë një figurë e pazëvendësueshme në shtëpi. Megjithëse kishte vështirësi dhe periudha të vështira, lidhja mes tyre u forcua gjithnjë e më shumë.

Ronnie jetoi me familjen Parsons deri në vdekjen e tij në vitin 2020, në moshën 75-vjeçare.

Pas ndarjes nga jeta, ai la pas një trashëgimi prekëse: 40 mijë paund të dhuruara për bamirësi, pikërisht shuma e nevojshme për të riparuar çatinë e një qendre komunitare për të pastrehët, e cila sot mban emrin e tij – Lockwood House.

Historia e Ronnie-t dhe e familjes Parsons është një kujtesë e fuqishme se mirësia e vërtetë nuk matet me madhësinë e veprimit, por me gatishmërinë për të hapur derën dhe zemrën./l.f-dritare/net