Avokati Maks Haxhia: Ergys Agasi nuk është arratisur, ja ku ndodhet!
Dritare.net

Maks Haxhia, avokati i Ergys Agasit, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të tërhequr dokumentacionin që lidhet me klientin e tij.
Në një deklaratë për mediat, Haxhia tha se dosja hetimore është shpërndarë tashmë në media, ndërkohë që ai dhe klienti i tij ende nuk janë njohur zyrtarisht me të.
Sipas tij, Ergys Agasi ndodhet aktualisht jashtë shtetit për shkak të një marrëveshjeje biznesi, por do të vetëdorëzohet sapo të kthehet në Shqipëri. “Patjetër që do të vetëdorëzohet. Kur të kthehet, do të mbajë qëndrimin e tij dhe do të përballet me drejtësinë,” u shpreh Haxhia.
Avokati ngriti gjithashtu shqetësime për nxjerrjen e informacionit nga dosja hetimore, duke e cilësuar këtë si një komprometim të procesit nga ana e SPAK. Sipas tij, konkluzionet janë nxjerrë më herët nga politika dhe opozita.
“Kur nuk është politikan, ç’lidhje ka ai me emërime? SPAK thotë ato që do SPAK, por jo ato që janë në realitet dhe në prova. Nuk ka asnjë provë që Agasi të jetë marrë me fushën e tenderave, madje as nuk e njeh personin në fjalë,” deklaroi Haxhia./K.C/dritare.net