
Kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, menjëherë pas përfundimit të protestës së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, u rikthye para Kryeministrisë në bulevard për të vijuar protestën e lëvizjes së tij, që ka nisur prej 16 ditësh.
Ai bëri edhe një deklaratë nga sheshi ku vendosi edhe një herë karriget që ishin larguar më herët për protestën e selisë blu.
Lapaj “thumboi” edhe protestën e PD-së, duke nënvizuar se “regjimi nuk mundet me kapsolla” dhe se “duhet qëndresë”.
“Për dy orë hymë në rezistencën e 16-të. Rama dhe regjimi i tij mundet me rezistencë nuk mundet dot me kapsolla. Se po të jetë për kapsolla kanë më shumë këta, të jetë për dhunë kanë më shumë këta. Këta munden vetëm me masivitet qendrestarësh. Do qëndrojmë këtu dhe do kërkojmë masivitet qytetarët për ta bllokuar. Unë vazhdoj në protestë, t’i thua të ftuan në protestë… Unë jam 15 ditë në protestë. Kjo është protesta.
Është shumë me rëndësi që të kuptojmë që rezistenca, është pika e kthesës përballë këtij regjimi që ka marrë peng vendin. Kjo përkon qëndresë, të mblidhemi këtu dhe ky dhjetor të mos i ndalë asnjë moment. Rama mundet nëse kemi fëmijët përdore duke u përballur me të”, u shpreh Lapaj./K.C/dritare.net