Kur heshtën armët dhe foli njerëzimi! Historia e armëpushimit të Krishtlindjes në Luftën e Parë Botërore
Dritare.net

Gjatë dimrit të errët të vitit 1914, mes baltës, gjakut dhe kaosit të Luftës së Parë Botërore, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Përgjatë Frontit Perëndimor, pa asnjë urdhër zyrtar, shpërthyen armëpushime spontane. Në vitet 1960, BBC-ja foli me disa nga burrat që, në atë Krishtlindje të pazakontë, vendosën të ulnin armët.
Në mbrëmjen e Krishtlindjes së vitit 1914, ushtari Graham Williams, nga Brigada e 5-të e Pushkatarëve të Londrës, po kryente shërbimin e rojës, duke vështruar me ankth përtej shkretëtirës së tokës së askujt, drejt llogoreve gjermane. Ai kishte kaluar tashmë muaj të tërë dhune brutale, gjakderdhjeje dhe shkatërrimi, tipare që do ta përcaktonin Luftën e Parë Botërore, kur ndodhi diçka e pabesueshme.
“Papritur, përgjatë llogoreve gjermane u shfaqën drita. M’u duk shumë e çuditshme. Pastaj gjermanët filluan të këndonin ‘Stille Nacht, heilige Nacht’. U ngrita menjëherë dhe rojet e tjera bënë të njëjtën gjë, duke zgjuar edhe të tjerët që të vinin e të shihnin çfarë po ndodhte,” kujtonte ai në emisionin radiofonik të BBC-së Witness History.
Zërat u përhapën mbi shkretinë e tokës së askujt. Këngë të njohura, që kapërcenin barrierat e gjuhës, u bënë një kujtesë e fuqishme e njerëzimit të përbashkët. “Kur mbaruan këngën, ne i duartrokitëm dhe menduam se duhej të përgjigjeshim disi. Kështu që kënduam The First Noel.”
Është e vështirë të përcaktohet saktësisht se si nisi Armëpushimi i Krishtlindjes i vitit 1914. Ai duket se lindi spontanisht në shumë vende përgjatë Frontit Perëndimor. Nuk ishte një armëpushim i vetëm dhe i unifikuar, por disa ngjarje të izoluara lokale. Për disa ushtarë zgjati vetëm disa orë; në disa zona deri në Ditën e Dytë të Krishtlindjes, e në disa xhepa të rrallë deri në Vitin e Ri. Në disa pjesë të frontit, nuk ndodhi fare. Madje, rreth 77 ushtarë britanikë u vranë ende në luftime ditën e Krishtlindjes 1914.
Për kolonelin Scott Shepherd, atëherë një oficer i ri që luftonte pranë qytetit Armentières në Francën veriore, gjithçka nisi thuajse rastësisht. Në agimin e mëngjesit të Krishtlindjes, toka e askujt ishte mbuluar nga një mjegull e dendur. “Mjegulla ishte aq e trashë sa nuk shihje dorën përpara fytyrës,” kujtonte ai kur u kthye në fushëbetejë me BBC-në në vitin 1968.
U vendos që, nën mbulimin e motit, të riparoheshin llogoret e shkatërruara. Por ndërsa ushtarët mbushnin thasë me rërë dhe përpiqeshin të rindërtonin mbrojtjen, mjegulla u shpërnda me një shpejtësi të jashtëzakonshme.
“Ajo u ngrit pothuajse menjëherë. Papritur pamë gjermanët, të gjithë jashtë, duke bërë pikërisht të njëjtën gjë. U pamë për disa çaste, pastaj një ose dy ushtarë shkuan drejt tyre. U takuan, shtrënguan duart, shkëmbyen cigare. Filluan të flisnin. Për atë çast, lufta u ndal.”
Gjenerali Walter Congreve, komandant i Brigadës së Pushkatarëve, i shkroi bashkëshortes së tij ditën e Krishtlindjes, duke e përshkruar armëpushimin si “një gjendje e jashtëzakonshme”. Meqë llogoret ishin shumë pranë njëra-tjetrës, ushtarët mund t’i flisnin njëri-tjetrit me zë të lartë. “Një gjerman bërtiti se donin një ditë armëpushim dhe pyeti nëse dikush do të dilte nëse ai dilte,” shkruante gjenerali. “Me shumë kujdes, një nga njerëzit tanë u ngrit mbi parapet dhe pa një gjerman që bënte të njëjtën gjë. Të dy dolën, pastaj edhe të tjerë… gjithë ditën kanë ecur bashkë, duke i dhënë njëri-tjetrit puro dhe duke kënduar këngë.”
Armëpushimi u dha ushtarëve mundësinë të mblidhnin të vdekurit dhe t’u bënin varrime të denja shokëve të rënë. Burra që vetëm pak orë më parë përpiqeshin të vrisnin njëri-tjetrin, tani shkëmbenin cigare, ushqime dhe kujtime nga shtëpia. Madje ka dëshmi për ndeshje të improvizuara futbolli në hapësirën e zhveshur mes llogoreve kundërshtare.
Koloneli Johannes Niemann, toger i dytë i Regjimentit të 33-të Sakson, ishte një nga pjesëmarrësit.
“Papritur, një ‘Tommy’ erdhi me një top futbolli… dhe filloi ndeshja. Portat i shënuam me kapele. Edhe ata po ashtu. Kishte shumë gjuajtje… dhe në fund, gjermanët fituan 3–2.”
Lufta rifillon
Asgjë e ngjashme me këtë armëpushim nuk do të ndodhte më gjatë Luftës së Parë Botërore. Udhëheqësit ushtarakë, të zënë në befasi nga kjo vëllazëri e papritur, kishin frikë se ajo do të dobësonte vullnetin për të luftuar dhe do të minonte përpjekjet e luftës.
Në të dyja anët u dhanë urdhra të rreptë për të ndaluar “vëllazërimin me armikun”, nën kërcënimin e gjyqeve ushtarake. Oficerët u urdhëruan të qëllonin mbi ushtarët armikë që i afroheshin llogoreve. Gradualisht, të shtënat nisën sërish përgjatë vijës së frontit. Lufta rifilloi egërsinë e saj dhe, ndërsa tmerret e saj u shtuan, u thellua edhe armiqësia mes kombeve. Krishtlindjen pasuese, breshëritë e mitralozëve u planifikuan qëllimisht për të mbytur çdo këngë festive, që të mos ndodhnin më armëpushime spontane.
Armëpushimi i Krishtlindjes së vitit 1914 mund të mos e ketë ndryshuar rrjedhën e luftës, por fakti që ndodhi është pothuajse mrekulli. Siç thotë historiani Dan Snow, ai ishte “një shkëndijë e shkurtër, joshëse e njerëzimit individual, në një luftë burokracish, makinerish dhe eksplozivësh të fuqishëm”.
Për burrat që e përjetuan, si koloneli Scott Shepherd, ai la një gjurmë të thellë. Për një çast të shkurtër, ushtarët në anë të kundërta e panë njëri-tjetrin si etër, vëllezër dhe bij, që thjesht dëshironin të ktheheshin në shtëpi pranë të dashurve të tyre, jo si armiq pa fytyrë për t’u vrarë.
“Disa prej tyre flisnin anglisht. Shprehën hapur mospëlqimin e tyre për luftën. Nuk ishin aspak agresivë. Disa thanë se kishin qenë në Londër, në Angli… dhe gjithçka tregonte se ishin të lumtur që na takonin.”/K.C/dritare.net