Ndërron jetë Eliot Engel, miku i madh i shqiptarëve
Dritare.net

Ka ndërruar jetë ish-kongresmeni amerikan Eliot Engel, një nga mbështetësit dhe miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për më shumë se tri dekada, Engel ishte një zë i fuqishëm në Kongresin Amerikan në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, duke ngritur vazhdimisht çështjen e Kosovës dhe duke kontribuar në sensibilizimin ndërkombëtar për vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj popullit shqiptar. Ai luajti një rol të rëndësishëm në momentet kyçe historike, duke mbështetur përpjekjet për liri, pavarësi dhe shtetndërtim në Kosovë, si dhe zhvillimin demokratik të Shqipërisë.
Që nga fundi i viteve ’80, kur u njoh nga afër me realitetin e vështirë të shqiptarëve në Kosovë, Engel u bë një ndër zërat më të vendosur në politikën amerikane për të drejtat e tyre. Ai nuk ishte vetëm një përkrahës politik, por një mik i sinqertë që qëndroi pranë shqiptarëve në ditët më të vështira, por edhe në momentet e arritjeve historike.
Angazhimi i tij i palodhur ndihmoi që çështja shqiptare të marrë vëmendjen e merituar në arenën ndërkombëtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe në integrimin euro-atlantik të rajonit.
Sot, shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe në diasporë, e kujtojnë me mirënjohje të thellë një mik të madh, një zë të drejtë dhe një mbështetës të palëkundur./dritare.net