
Metodat novatore krijuese për riciklimin, ripërdorimin dhe rishpikjen e produkteve nga mbetjet dhe nxitja e ekonomisë arkulluese
Dritare.net
Ekonomia qarkulluese është bërë një element kyç në politikat e sotme duke përfshirë riciklimin si një praktikë thelbësore për të reduktuar mbetjet dhe minimizuar ndikimin mjedisor të aktiviteteve njerëzore. Ekonomitë në ditët e sotme po luftojnë për më shumë efikasitet, produktivitet, punësim, përfitime nga teknologjia, në një epokë ndryshimesh të mëdha dhe të rëndësishme mjedisore. Ndërsa shumë njerëz, vende dhe politikat e tyre fokusohen në metodat tradicionale të riciklimit, të tilla si ndarja e plastikës, qelqit dhe letrës, riciklimi mund të arrihet edhe nëpërmjet artit.
Riciklimi përmes artit është një qasje inovative që përdor materiale mbetjesh dhe i kthen ato në krijime artistike. Jo vetëm ekonomitë në BE por edhe ekonomitë e vendeve në zhvillim, si Shqipëria, po përpiqen të përmirësojnë praktikat e riciklimit dhe të zbatojnë praktika të reja për t'iu qasur njerëzve në mënyrat e duhura.
Si rezultat, u krijua partneriteti i projektit “RecyclArt”, riciklimi kreativ i krijuar për të mbrojtur mjedisin, një projekt Erasmus+ në seksionin e Arsimit të të Rriturve, që mblodhi 6 organizata nga Greqia, Italia, Polonia, Rumania dhe Shqipëria. Ato promovuan metoda kreative për riciklimin nëpërmjet disa aktiviteteve trainuese dhe mbështetëse jo vetëm për edukimin, por edhe për rritjen e mundësive per punësim dhe sipërmarrje, duke përdorur qasjet novatore per riciklimin, ripërdorimin dhe rishpikjen e produkteve.
Partner i Shqipërisë në Projekt, InSET, Instituti për Zhvillimin e Qëndrueshëm, Mjedisin dhe Turizmin, një institut kërkimor i krijuar në fushën e sipërmarrjes, zhvillimit të qëndrueshëm, inovacionit, turizmit, mjedisit, organizoi në Tiranë, në datë 15 Mars 2023, aktivitetin promovues për promovimin e rezultateve të projektit RecyclArt tek grupet e interesit.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u informuan mbi projektin dhe rezultatet e tij si edhe ndërvepruan me platformën e krijuar për të rritur mundësitë e mësimit, certifikimit dhe përdorimit të mëtejshëm të aktiviteteve të riciklimit si një mundësi pune dhe sipërmarrjeje. Kushdo mund te regjistrohet në këtë platformë nëse interesohet per qasjet novatore mbi riciklimin si dhe trainime të mëtejshme, duke klikuar në https://www.myrecyclart.eu .
Grupet e interesit morën pjesë jo vetëm për t’u informuar dhe shpërndarë më tej gjetjet, por edhe për të identifikuar mundësitë e ardhshme drejt ekonomisë qarkulluese. Kështu, grupi i përfaqësuesve të institucioneve publike përbëhej nga përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Bujqësisë, Bashkive Tiranë dhe Vlorë etj., të cilët diskutuan mbështetjen e institucioneve publike, si dhe nevojën për projekte dhe angazhimin e shoqërsē civile për nxitjen e sipërmarrjes në fushën e ekonomisë qarkulluese.
Grupi i dytë në këtë event përbëhej nga individë të trajnuar, punëkërkues dhe të rinj pjesëmarrës në seminarin e organizuar gjatë fazës së dytë të projektit, të cilët diskutuan përfitimet e seminarit mbi riciklimin dhe lidhjen me metoda inovative dhe artistike. Një grup tjeter i rëndësishëm i pjesëmarrësve ishin përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët u bënë pjesë aktive lidhur me çështjet që lidhen me ekonominë qarkulluese, mjedisin dhe riciklimin, jo vetëm duke identifikuar aspekte për më shumë vëmendje, por edhe duke dhënë ide për bashkëveprim të mëtejshëm lidhur me përdorimin e kreativitetit për riciklimin.
Grupi i Ekspertëve dhe Ricikluesve e artistëve, përveç shqyrtimit të gjetjeve dhe veçanërisht përdorimit të platformës në të ardhmen në mënyrë efikase, diskutuan edhe për rrjetëzimin dhe mundësitë e mëtejshme për bashkëpunim drejt prioriteteve të dakordësuara me pjesëmarrësit për të rritur ndikimin në një ekonomi qarkulluese të qëndrueshme.
Bashkëveprimi midis aktorëve mbetet një forcë e rëndësishme për ndryshimin e qasjeve drejt përëdorimit të metodave kreative për riciklimin, ripërdorimin dhe rishpikjen e produkteve duke përdorur mbetjet në mënyrë të planifikuar dhe projektuar./dritare.net

















