
Kuvendi do të mblidhet sot për seancën e radhës plenare, e cila pritet të nisë në orën 10:00. Në rend dite janë raportimet e disa institucioneve për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024, projektligji shumë i diskutuar për barazinë gjinore si dhe zgjedhja e anëtareve të Komisionit Rregullator në KQZ.
Në seancën e kaluar më 30 tetor, votimi për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Rregullator dështoi për shkak se deputetët e opozitës braktisën sallën pasi maxhoranca rrëzoi kërkesën e tyre për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për Charles McGonigal, si dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Për projektligjin për barazinë gjinore pati debate. Projektligji nuk do të ketë më konceptin “gjithëpërfshirëse” për gjininë por do të njohë vetëm burrë e grua. PS depozitoi 22 amendamente ku hiqen termat “gjithëpërfshirës” dhe “diversitet gjinor”, duke i zëvendësuar me formulime të qarta në vetëm dy gjini.
Po ashtu, në rend dite është parashikuar edhe akti normativ për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2025, si dhe akti normativ për "Planifikimin dhe zhvillimin e territorit".
Sa i përket institucioneve që do të raportojnë do të jenë Kontrolli i Lartë i Shtetit, Departamenti i Administratës Publike, Komisioni i Prokurimit Publik, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Megjithatë, kohë në Kuvend mund të "zënë" edhe diskutime lidhur me marrjen si të pandehur nga SPAK të zëvendës kryeministres Belinda Balluku për shkelje të barazisë në tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që iu komunikua të premten që kaloi./dritare.net