Mbledhja e Bordit të Paqes/ Trump shtrëngon duart me Ramën
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në takimin e Bordit të Paqes. Trump shtrëngoi duart me liderët, mes tyre edhe kryeministrin Rama dhe Presidenten Vjosa Osmani.
Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes nisi zyrtarisht në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump”, në Washington D.C. me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve, qeverive dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë. Pas fotos familjare me pjesëmarrësit, Seanca u çel me fjalën mirëseardhëse të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në tryezën e rrumbullakët do të ketë prezantime dhe përditësime nga figura të rëndësishme ndërkombëtare pjesëmarrëse në takim mbi natyrën historike të kësaj nisme, përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe koordinimin e ndërmjetësve, adresimin e nevojave humanitare dhe të sigurisë në Gaza, procesin e demilitarizimit, rindërtimin përmes një plani të përgjithshëm zhvillimi, forcimin e kapaciteteve institucionale, si edhe krijimin e mekanizmave financiarë transparentë, përfshirë Fondin Sovran të Pasurisë. Axhenda përfshin gjithashtu prezantime mbi teknologjinë dhe zinxhirët e furnizimit, si dhe mbi rezultatet e matshme që synohen në terren, duke vendosur themelet e veprimit konkret të Bordit në fazën e tij të parë operacionale.
Nisja e aktivitetit të Bordit shënon një hap të ri në koordinimin ndërkombëtar për adresimin e sfidave globale të sigurisë dhe të rindërtimit. Prania e Shqipërisë në bordin themelues, dëshmon sërish se Shqipëria qëndron me vendosmëri përkrah shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global./L.F-dritare.net