Arrestohet ish-princi Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i mbretit Charles
Dritare.net

Andrew Mountbatten‑Windsor, ish-princi britanik dhe vëllai i mbretit Charles III, është arrestuar nga policia britanike nën dyshimin për shpërdorim të detyrës publike.
Arrestimi u krye në rezidencën e tij në pronën mbretërore Sandringham Estate në Norfolk, ku u panë automjete policie që mbërritën herët në mëngjes. Hetimi lidhet me dyshime se ai mund të ketë ndarë materiale konfidenciale gjatë kohës kur shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar, mes viteve 2001–2011.

Autoritetet po shqyrtojnë një ankesë që lidhet me marrëdhëniet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein dhe me pretendime për shkëmbim informacioni të ndjeshëm.
Mountbatten-Windsor, i cili mbush sot 66 vjeç, i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat për shkelje. Hetimet po zhvillohen nga Thames Valley Police për të përcaktuar nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave formale.
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se “askush nuk është mbi ligjin”, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe sipas provave./L.F-dritare.net