Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Programi i Bordit të Paqes/ Liderët botërorë mblidhen për Gazën, fjalim edhe nga Edi Rama

Programi i Bordit të Paqes/ Liderët botërorë mblidhen

Mbledhja e parë e Bordit të Paqes zhvillohet këtë të enjte, 19 shkurt 2026, me pjesëmarrjen e liderëve politikë dhe figurave ndërkombëtare që do të diskutojnë zhvillimet dhe planet për të ardhmen e Gazës, ndihmën humanitare dhe mekanizmat e rindërtimit.

Sipas agjendës zyrtare, delegacionet nisin mbërritjen në mëngjes sipas orës amerikane, ndërsa takimi hapet zyrtarisht me fjalë mirëseardhjeje nga drejtuesit e Shteteve të Bashkuara. Programi përfshin prezantime tematike mbi ndihmën humanitare, sigurinë, rindërtimin dhe transparencën financiare.

Mes folësve kryesorë janë zyrtarë dhe personalitete ndërkombëtare si senatori Marco Rubio, diplomati Steve Witkoff, ambasadori Mike Waltz, ish-kryeministri britanik Tony Blair, si dhe presidenti i World Bank, Ajay Banga. Gjithashtu pritet një prezantim mbi rezultatet e pritshme të iniciativës nga Jared Kushner.

Një video prezantuese për rindërtimin e Gaza do të shfaqet gjatë seancës, ndërsa në vijim liderë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Europa do të mbajnë fjalë sipas radhës së protokollit. Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Rama, i cili është i gjashti në listën e folësve.

Takimi pritet të përmbyllet me diskutime mbi koordinimin ndërkombëtar, fondet e rindërtimit dhe projektet afatgjata për stabilitetin rajonal. Në fund të programit është parashikuar edhe një prezantim video nga FIFA.

Ky samit konsiderohet një hap i rëndësishëm diplomatik për koordinimin e përpjekjeve globale rreth paqes dhe rimëkëmbjes në rajon./L.F-dritare.net