Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve, shfuqizon pagën referuese të magjistratëve
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, të cilët kishin kundërshtuar ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve të vitit 2023.
Sipas ligjit të ri, rroga bazë e magjistratëve u përcaktua të ishte 36% e pagës së Presidentit, ose rreth 153,000 lekë, nga 132,100 lekë që ishte më parë, sa paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri. Kjo rritje duket se ishte mbi 20,000 lekë, por gjyqtarët e konsideruan një ulje të fshehur, pasi njëkohësisht rriteshin pagat për administratën publike, dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri arriti në 231,000 lekë.
Me shumicë votash, Kushtetuesja vendosi që formula e re referuese 36% e pagës së Presidentit ishte e papajtueshme me Kushtetutën. Vendimi u bazua në nenin 138, sipas të cilit:
“Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen.”
Gjykata argumenton se pagat e magjistratëve nuk mund të ndikohen nga politika shtetërore për sektorin publik apo privat, dhe se formula e re kishte sjellë një “ulje të fshehur” të pagës për shkak të rritjes së shpejtë të pagave të administratës dhe ndryshimeve ekonomike:
“Edhe pse paga absolute sipas ligjit të ri nuk është më e ulët se formula e mëparshme, në raport me rritjen ekonomike dhe çmimet, ka prodhuar një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë. Për këtë arsye, ligji nr. 33/2023 duhet të shfuqizohet,” thuhet në vendim.
Ky vendim thekson rëndësinë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke garantuar që pagat e gjyqtarëve të mos ndikohen nga faktorë të jashtëm ekonomikë.
Vendimi i plotë!
"Autoritet shtetërore bazuar në këto faktorë ekonomikë, krahas të tjerash, kanë kanë ndërmarrë politika shtetërore për rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat. Pjesë e këtyre masave ishte edhe ligji nr. 33/2023, i cili pagën e magjistratit e la të pandryshuar në dallim nga paga e nëpunësve të shërbimit civil (referenca e vjetër e formulës) dhe ajo e Presidentit të Republikës (referenca e re e formulës), që pësuan rritje domethënëse. Në këtë kuptim, ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re sipas ligjit objekt shqyrtimi, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka passjellë një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë, arsye për të cilat ligji nr. 33/2023 duhet të shfuqizohet",- thuhet në vendim./K.C/dritare.net