Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kumbaro: Nga shtatori nis zbatimi i kurrikulës së re me 171 tekste për klasat e para, gjashta dhe të dhjeta

Kumbaro: Nga shtatori nis zbatimi i kurrikulës së re me 171 tekste

Gjatë fjalës së saj në Komisonin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, prezantoi vizionin dhe panoramën mbi të cilën është konceptuar rishikimi i paketës kurrikulare për kurrikulat bërthamë, si dhe për programet lëndore për klasat I, VI dhe X.

“Për klasat 1,6,10 përditësimi i programeve lëndore ka ndodhur në vitin 2025, përditësimi i teksteve po ndodh aktualisht, dhe zbatimi i kurrikulës së re do të nisë në shtator të vitit 2026. E njëjta logjikë dhe proces do të ndiqet për klasat 2, 7, 11, me kurrikulën e re që do të zbatohet në shtator 2027; për klasat 3,8,12 në shtator të vitit 2028

Dhe për t’u përmbyllur me klasat 4,5,9 me zbatimin e kurrikulës së re duke filluar nga shtatori 2029. Përgatitja e listës së teksteve shkollore për përditësim, sipas klasave dhe lëndëve, bazuar në katalogun zyrtar të teksteve shkollore për klasat 1, 6 dhe 10 përfshin 171 tekste shkollore:140 tekste fizike dhe 31 tekste digjitale.

Sikundër përfshin hartimin e treguesve të përditësimit të teksteve shkollore dhe takime informuese me shtëpitë botuese për procesin e përditësimit të teksteve shkollore, që po zhvillohen nga kolegët e ASCAP.

Procesit të konkurrimit për tekste të reja shkollore do t’i nënshtrohen: Qytetaria për klasat 1-6-10 dhe gjuha shqipe për klasën 10.Ndërsa tekstet e tjera do t’i nënshtrohen përmirësimeve dhe përditësimeve sipas gjithë sa sqarova më herët”, sqaroi ministrja Kumbaro.


Në fund të fjalës së saj, ministrja theksoi se një kurrikul e re nuk mund të ketë sukses pa mësues të përgatitur, duke sqaruar se programi i ri strategjik 2026-2028 për zhvillimin professional të mësuesve, synon t’u garantojë këtyre të fundit mbështetje konkrete në planifikimin e mësimit sipas rezultateve të reja, në përdorimin efektiv të teknologjisë dhe të Inteligjencës Artificiale, në vlerësimin formues dhe, po aq e rëndësishme, në mirëqenien e tyre profesionale dhe etike.