Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kur gjithçka duket perfekte në rrjet, por jo në jetën tënde

Kur gjithçka duket perfekte në rrjet, por jo në jetën

“Në rrjetet sociale duket sikur të gjithë janë të lumtur, të bukur, në udhëtime, me jetë perfekte… dhe ti mendon: Çfarë kam gabim unë?”

Ky është një nga reflektimet më të sinqerta që dolën nga podcast-i i katër vajzave adoleshente në Dritare TV, të cilat zgjodhën të flasin për teknologjinë dhe ndikimin e saj në jetën e tyre.

Në një bisedë të hapur, Ami Sulaj, Katerina Shehaj, Ema Çinari, Noelia Mertiri, pranuan se rrjetet sociale krijojnë iluzione. Të rinjtë krahasojnë jetën e tyre reale me atë që shohin në ekran, e cila është e kuruar, e filtruar, shpesh e pavërtetë.

“Shohim vetëm anën e bukur, por askush nuk poston momentet e vetmisë, ankthin, pasiguritë,” – tha Noelia.
“Duket sikur të tjerët janë gjithmonë më përpara se ty,” – shtoi Ami.
“Ka vajza që ndryshojnë gjithë garderobën për të qenë në trend. Ose ndjekin dieta të rrezikshme, vetëm se e panë te ndonjë influencer,” – tha Ema.

Ky presion i padukshëm, që vjen nga ekrani, ndikon tek vetëvlerësimi, sjell ndjesinë e pamjaftueshmërisë dhe i bën të rinjtë të ndihen sikur nuk janë “mjaft”. Por realiteti është ndryshe.

“Nëse nuk shfaqesh, sikur nuk ekziston. Por edhe kur shfaqesh, nuk je real. Është një kurth,” thonë ato.

Përmes këtij podcast-i, vajzat nuk dhanë zgjidhje magjike, por një mesazh të qartë:
Duhet të flasim. Duhet të ndajmë. Duhet të jemi të vetëdijshëm.

Dritare TV iu hapi dritaren për të folur me zërin e tyre dhe i fton të gjithë të rinjtë që të mos mbyllen pas ekranit, por të tregojnë atë që ka vërtet rëndësi për ta./dritare.net