
Kemi shumë botime, por s’kemi lexues! Flet studiuesi letrar Ymer Çiraku!
Dritare.net
Episodi i radhës i ciklit “Gjuha shqipe” në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv iu kushtua letërsisë. I ftuar ishte studiuesi letrar Ymer Çiraku.
Prirja për lexim është ngadalësuar tha Çiraku, por duhet të ndalohet që kjo pritje të shkojë në ekstrem. Profesori vë në dukje se sot ka shumë botime të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj, por nuk ka lexues. Një vëmendje e madhe thotë profesori duhet t’i kushtohet edhe kritikës letrare. Mediat, televizioni, gazetat duhet të botojnë kritika letrare.
“E vërteta është që këto kohë, si pasojë e teknologjisë, informacionit të shumanshëm, prirja për lexim është ngadalësuar. Por ne duhet të ndalojmë që kjo prirje të shkojë në ekstrem. Letërsia, edhe fusha të tjera të dijes, historia, dijet sociologjike dhe filozofike, duhet që patjetër që të kenë vendin e tyre. Botimet në Shqipëri nuk janë pak, sepse ka dhe shumë shtëpi botuese, pra ka një shpërthim jo vetëm nga letërsia shqipe, por edhe nga autorë të vendeve të ndryshme të botës. janë botime të para '90-ës, të pas Luftës së Dytë Botërore. Për shembull Noli që përkthente veprat e Shekspirit, apo vepra të tjera të shquara, qoftë nga letërsia arabe. Problemi është që kjo letërsi duhet të shkojë te lexuesit, në mënyrë të vullnetshme, të lirë, pra ai ta kërkojë dhe ta gjejë. Këtu duhet të luajë një rol edhe kultura e leximit, kritika letrare.
Kritika letrare në Shqipëri është, por dhe ajo varet sa njihet, varet sa shkon te lexuesi. Në përgjithësi te ne janë dy modele kritikash letrare: kritika publicistike, ajo që botohet në revista dhe gazeta, apo televizione, por është edhe kritika akademike, e cila realizohet dhe qarkullon në katedrat e letërsisë, në Shqipëri, Kosovë, Tetovë apo diasporë. Kjo kritikë, minimalisht bëhet një konferencë shkencore në gjithë këto departamente, të cilat vijnë me punime shkencore. Këto referime, kumtesa shkencore kanë një tematikë të caktuar kushtuar një figurë, problemi të letërsisë dhe këtu marrin pjesë studiues nga të gjitha hapësirat shqiptare, madje edhe studiues të huaj që e njohin letërsinë shqipe dhe ato punime botohen. Janë botime të përvitshme, të këtyre konferencave. Vetëm në këto 30 vjet kemi një bibliotekë të tërë me përmbledhje të akteve të seminarit ndërkombëtar të Prishtinës. Janë shumë të vlefshme. Prandaj unë them që kritika është. Por nuk e shikon dhe promovon media. Problemi është te kritika e mediave, revistave, gazetave. Ne kemi pak botime të drejtpërdrejta letrare në Shqipëri. Siç është Exlibris ku botohen kritika letrare dhe kjo punë bëhet nga Onufri. Ne median e shkruar, jo vetëm Exlibris, duhet të krijohen edhe revista të mirëfillta letrare dhe të botohen kritika letrare jo vetëm te këto, por edhe në gazeta sociale dhe politike. Ka shume kritika letrare tani, ka shumë vëllime të gjykimit letrar mbarëkombëtar. Por këtu dalim te një problem tjetër, te raporti me ata që e bëjnë këtë kritikë. Të bësh një poezi, tregim, është një krijimtari, pasion. Të bësh kritikë letrare është pasion po ashtu, por është edhe dije, shkencë, është punë kabineti, ku ti do ulesh dhe të kalosh nëpër duar dhjetëra romane. Epo që t'i lexosh ato duhet një kohë fizike. Duhen muaj të tërë që të lexosh romane dhe të shkruash për ta. Të bësh një studim apo qoftë një shkrim, do kohën e duhur. Duhet edhe një fond financiar, që ai studiuesi t'i blejë këta libra. Është një punë e papaguar, duket sikur nuk është e nevojshme një kritikë letrare. Duhet administruar më mirë fondi i shtetit, buxheti ynë, i taksapaguesve. Duhen gjetur mundësi që ky buxhet të shkojë edhe për artin, edhe për kërkimet shkencore. ”, tha ndër të tjera studiuesi Çiraku./K.C/dritare.net

















