Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ja kush janë lektorët që do të trajnojnë deputetët e rinj të PS-së!

Ja kush janë lektorët që do të trajnojnë deputetët

Deputetët e rinj të Partisë Socialiste nuk do të kenë kohë për pushime verore. Që prej datës 20 qershor deri më 20 korrik, ata do të ndjekin një trajnim intensiv në kuadër të “Akademisë Politike” të PS-së, një iniciativë që synon të formësojë brezin e ri politik në radhët e mazhorancës.

Programi do të zgjasë një muaj dhe përfshin pesë module trajnimi, ku përfshihen çështje të etikës parlamentare, funksionimit të institucioneve, marrëdhënieve ndërkombëtare, komunikimit politik dhe vizionit afatgjatë të partisë.

Në listën e lektorëve gjenden emra të njohur të Partisë Socialiste, përfshirë edhe vetë kryeministrin Edi Rama, i cili do të japë mësim në modulin e parë për rolin e deputetit dhe etikën e përfaqësimit.

Modulet e “Akademisë Politike” dhe lektorët përkatës:

Moduli 1 – Roli i Deputetit dhe Etika e Përfaqësimit
Lektorë: Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Niko Peleshi
– Përqendrohet në misionin themelor të përfaqësuesit të popullit dhe standardet etike në politikë.

Moduli 2 – Funksionimi i Parlamentit
Lektorë: Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Toni Gogu
– Përmban njohuri mbi procedurat parlamentare dhe funksionimin e institucioneve ligjore.

Moduli 3 – Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Ndërkombëtare
Lektorë: Elisa Spiropali, Adea Pirdeni, Olta Xhaçka
– Fokus në diplomacinë parlamentare dhe bashkëpunimin me aktorë ndërkombëtarë.

Moduli 4 – Komunikimi Politik
Lektorë: Taulant Balla, Endri Fuga, Eduard Shalsi
– Trajnim mbi strategjitë e komunikimit politik dhe ndërveprimin me median dhe publikun.

Moduli 5 – PS dhe Vizioni 2030
Lektorë: Milva Ekonomi, Bledi Çuçi, Evis Kushi
– Diskutim mbi prioritetet politike të PS-së në dekadën e ardhshme./K.C/dritare.net