Italia miraton ligjin: Burgim i përjetshëm për vrasjet e grave
Dritare.net

Parlamenti italian ka miratuar përfundimisht ligjin që fut në Kodin Penal veprën penale të femicidit, duke e njohur zyrtarisht këtë krim si një formë të veçantë vrasjeje me bazë gjinore. Dhoma e Deputetëve e ka aprovuar projektligjin unanimisht, pasi më parë ishte miratuar edhe nga Senati. Me këtë hap, ligji hyn në fuqi.
Sipas ligjit të ri, në Kodin Penal futet neni 577-bis, i cili parashikon dënim me burgim të përjetshëm për këdo që vret një grua kur krimi kryhet për arsye të diskriminimit gjinor, urrejtjeje ndaj grave, apo për të kufizuar dhe shtypur lirinë e viktimës.
Ligji e cilëson si femicid edhe rastin kur vrasja kryhet për motive të kontrollit, dominimit apo posedimit ndaj gruas, si dhe kur ajo ka refuzuar të nisë ose të vazhdojë një marrëdhënie sentimentale me autorin e krimit. Këto rrethana e ashpërsojnë veprën penale dhe e bëjnë më të rëndë përgjegjësinë penale të autorit.
Qëllimi i këtij ligji është që shteti italian të njohë zyrtarisht se vrasjet e grave për arsye gjinore nuk janë thjesht krime individuale, por janë pjesë e një fenomeni më të gjerë të dhunës dhe diskriminimit ndaj grave. Ligji synon gjithashtu të forcojë mbrojtjen e viktimave dhe të rrisë parandalimin e këtyre krimeve./L.F-dritare.net