Idajet Beqiri: Çfarë i shkrova sekretarit amerikan!
Dritare.net
Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar në emisionin Intervista e Ditës në DritareTV se i është drejtuar me një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të denoncuar atë që ai e cilëson si dështim të SPAK-ut në hetimin e krimeve të rënda në Shqipëri.
“Në institucionet shqiptare, dhe posaçërisht në SPAK, unë kam depozituar mbi 20 kallëzime penale të kompletuara me prova dhe fakte, por këto dosje nuk po hetohen. SPAK nuk po bën misionin për të cilin u krijua,” – u shpreh Beqiri.
Sipas tij, letra drejtuar diplomacisë amerikane erdhi pas bindjes se drejtësia shqiptare po shmang hetimin e aferave madhore të së shkuarës.
“Unë iu drejtova Sekretarit Amerikan të Shtetit sepse shikoj që SPAK po merret me vogëlimat dhe po anashkalon krimet e rënda që i kanë bërë gjëmën Shqipërisë dhe shqiptarëve,” – tha ai.
Beqiri renditi një sërë çështjesh që, sipas tij, nuk janë hetuar, duke përmendur Gërdecin, 21 Janarin, firmat piramidale, privatizimet strategjike dhe pasuritë natyrore.
“Ka dosje për Gërdecin, për 21 Janarin, për firmat piramidale, për privatizimet e hidrocentraleve dhe pasurive kombëtare. Këto janë krime me miliarda euro dëm për shtetin dhe nuk po preken,” – deklaroi Beqiri.
Avokati hodhi akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta, duke i cilësuar si përgjegjës për korrupsion dhe krime shtetërore.
“Bëhet fjalë për dy familje mafioze që kanë grabitur Shqipërinë për dekada. Këto janë dosje elefanti, ndërsa SPAK po merret me mizat,” – u shpreh ai.
Lidhur me rolin e SHBA-ve, Beqiri theksoi se letra e tij nuk synon të akuzojë administratën amerikane, por të kërkojë sqarim dhe ndërhyrje.
“Nëse SPAK thotë se vepron me mbështetjen amerikane, atëherë duhet sqaruar pse nuk heton krimet madhore. Unë jam i bindur që Shtetet e Bashkuara nuk kanë dijeni për këtë situatë,” – tha Beqiri.
Ai konfirmoi se ka marrë njoftim zyrtar se letra është depozituar dhe po shqyrtohet.
“Letra është protokolluar. Aty nuk ka shpifje, ka fakte dhe prova të verifikueshme,” – theksoi ai.
Në përfundim, Beqiri paralajmëroi se mosndëshkimi i krimeve të rënda, sipas tij, përbën rrezik për demokracinë dhe shtetin ligjor.
“Nëse nuk preken rrënjët e krimit, ky vend rrezikon të merret nga lumi. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë,” – përfundoi ai./K.C/dritare.net