Na ndiqni edhe në

Shqip

Historia sekrete e avionit amerikan që ndryshoi fatin e Luftës së Kosovës!

Historia sekrete e avionit amerikan që ndryshoi fatin e Luftës së

Maksim Jaupi ka qenë oficer i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Jaupi shërbeu si shef zbulimi i batalionit të forcave speciale që u krijua në 1998 nga NATO, për t’i ardhur në ndihmë divizionit të Kukësit gjatë luftës së Kosovës. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, zoti Jaupi tregoi ekskluzivisht për një mision që ndryshoi fatin e luftës së Kosovës. Jaupi së bashku me 5 djem të batalionit, në një mision sekret të iniciuar prej tij shpëtuan avionin e NATO-s i cili ra në territorin serb dhe që rrëzoi Millosheviçin.


“Në vitin 1998 është krijuar batalioni i forcave speciale të Ministrisë së Mbrojtjes nga NATO. Është krijuar në Farkë. Ky batalion u krijua në fund të vitit 1998 dhe filloi kursin e parë me kontingjentin që thirrëm për të shërbyer në këtë batalion, me forcat më të zgjedhura të Shqipërisë, siç ishte garda, zbulimi dhe repartet e këmbësorisë. Dhe ky kontingjent u zgjodh në të gjithë Shqipërinë. Batalionin e drejtonte kolonel Hysen Imeri. Unë isha në detyrë si shef zbulimi i këtij batalioni.
Ky batalion u krijua me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të divizionit të Kukësit të gjeneral Kudusi Lames. Detyra jonë ishte vrojtimi dhe zbulimi i ushtrisë serbe. Duhet të vrojtonim dhe zbulonim zbulonim objektivat të ndryshme të ushtrisë serbe, tanke, artileri, përqendrime këmbësorie etj.
Në mes të misionit caktohet një grup nga ne nga ana e komandës, që të vijmë në Rinas, për një takim me forcat Speciale Amerikane, Delta. Ata kishin ardhur për mision, në shërbim të NATO-s. Përreth një javë u stërvitëm prej tyre. Pasi mbaruam këtë stërvitje, krijuam një ekip të përbashkët me amerikanët. Krijuam disa vende vrojtimesh sekrete. Në grupin tonë katër ishin amerikanë por detyra ishte e përbashkët, vrojtim dhe zbulim. Ne kishim pikat tona të vrojtimit të përhapura në të gjithë kufirin dhe informacioni mblidhej në qendër. Amerikanët që kishim në grup ia kalonin komandës Aviano të NATO-s, e vendosur në Itali. Baza ushtarake në Aviano, ngrinte avionët luftarake dhe bënte bombardimet në territorin serb.
Bashkëpunimin me amerikanët e vazhduam derisa mbaroi lufta në Kosovë. Bombardimet filluan mars dhe mbaruan në qershor. Gjatë kësaj periudhe që ne shërbyen aty dua të tregoj për një mision të veçantë që djemtë shqiptarë realizuan. Misionin e kryen 6 veta të udhëhequr nga unë.
Ne aksion morën pjesë direkte 6 veta: Major Maksim Jaupi, Resul Fidani, Durim Ymeri, Skënder Ruci, Astrit Lica dhe Meviol Bilo. Në mbështetje të këtij grupi ndihmuan: Skënder Hidri, Leonard Demiri, Agron Murati dhe Agron Bami.
Një pjesë e mirë të djemve pasi kishin kryer shërbimin natën, shkuan në Krumë për të folur me familjarët e tyre. Kruma e Kukësit nga vendi ku ne qëndronim ishte larg. Një diel ndërsa shumë ishin larguar në Krumë, një pjesë ishin me shërbime sekrete, bazë ishte vetëm një grup i vogël. Isha unë, shefi i ndërlidhjes Bajram Bjeshka dhe shefi i logjistikës Agron Shehu. Bashkë me ne edhe një amerikan i forcave Delta. Në moment jepet një sinjal nga qendra e vrojtimit, që një avion u rrëzua. Por ndodhi aq shpejt sa askush nuk arriti të kuptojë nëse ishte avion luftarak, apo një avion tjetër.

Avioni ra në territorin serb jo në territorin tonë, pasi ra plasi. Njoftohemi në bazë për këtë avion. U mundova të komunikoja me komandantin tim dhe komandantin e Deltas, që ishte në Krumë, por qe e pamundur. Edhe me Shtabin e Përgjithshëm nuk mundëm të flisnim për ta informuar. Në këto situata, duhet të merrja vetë guximin të veproja. Ne donim të shpëtonim pilotin dhe askush tjetër veç nesh nuk mund ta bënte. Ky ishte një avion zbulimi i prodhimit të 1996 dhe testohej për herë të parë në luftën e Kosovës. Avioni bënte vetëm fotografime dhe ia jepte Avianos dhe Aviano bënte bombardimet në territorin serb. Serbët e qëlluan avionin dhe ai u rrëzua. Por ne nuk e dinim që ishte i tillë. Sepse nuk kishim asnjë informacion. Në këtë situatë ne duhet të vepronim, për të shpëtuar pilotin. Vendi ku kishte rënë avioni ishte në territor serb, por jo shumë larg nga territori shqiptar. Ne e dinim si rajon ku kishte rënë avioni, por nuk kishim koordinatat e sakta.
Serbët në kohën që avioni ra dhe plasi, u alarmuan. U futën nëpër strehime sepse menduan që nisën bombardimet. Por kjo mund të ishte dhe një taktikë e tyre për të sulmuar.
Kur mbërritëm në një pikë, kam ndarë vetëm detyrat. Ishin të gjithë të gatshëm për të kryer misionin. Vumë dorën njëri mbi tjetrin, dhe u betuam se do ta kryejmë bashkë misionin, gjallë a të vdekur.
Vendosëm të kërkojmë në dy drejtime. Gjithë zona ishte e minuar nga serbët dhe vështirësia qe shumë e madhe. Ndamë detyrat në dy grupe. Caktuam orën 14:00 si orë kthimi. Çamë të gjitha zonat e minuara dhe arritëm të futeshim në territorin serb.
E zbuluam avionin dhe e kuptuam që ishte një avion zbulimi, pa pilot. Serbët ndërkohë që ne bënim kërkim hapnin zjarr periodik sepse në vijë ajrore ishim larg serbëve 100 metra. U vonuam shumë në çmontimin e pjesëve. Çdo gjë çmontohej me duar e me dhëmbë. Unë mora kutinë e regjistrimit, kamerën dhe antenën. Këto ishin tre pjesët më të rëndësishme.
Kur u kthyem në vendin e takimit ku e kishim lënë me grupin tjetër, ata po prisnin duke qarë. Jemi kthyer si kërmij në tokë, sepse ishim në territorin e armikut. Distanca ishte shumë e vogël dhe duhet të ruheshim.
Ia dolëm të futeshim në një qendër zjarri, që ne i themi portokalle ose bunker siç njihet zakonisht.
Gjatë gjithë aksionit, askush nuk e dinte ku ishim sepse ne kishim fikur radiot. Sapo ndeza radion dhe njoftova në rrjetin tim se ku isha, serbët na zbuluan dhe nisën bombardimet. Kemi shpëtuar vetëm falë qendrës së zjarrit. Sapo mbaroi breshëria për tre minuta u hodhëm në një përrua malor. Shpëtuam! Kur shpëtuam unë i thashë grupit që me djem si ju unë i shkoj Millosheviçit në Beograd.

Në bazë na pritën amerikanët, i dorëzuam materialët dhe na përgëzuan. Materialet i mori Delta dhe CIA. Amerikanët na thanë se këto aksione mundet t’i bënin vetëm amerikanët e përgatitur dhe se ky mision i bërë në mes të ditës ishte i jashtëzakoshëm.
Mbi të gjitha materialet ishin shumë të domosdoshme sepse nuk duhet të binin në dorë të rusëve apo serbëve. Fill pasi ne morën kutinë e zezë me informacione bombarimet e NATO-s qenë precize dhe Sllobodani u detyrua të japë dorëheqjen. Ky ishte misioni që i dha lirinë Kosovës.
Jam krenar për djemtë që morën pjesë në aksion. Askush prej nesh nuk e dinte se sa i rëndësishëm që ky mision qe ne bëmë. Kur kam dëgjuar që Meviol Bilo u arrestua më erdhi shumë keq. Më kujtoi kohën e luftës që kaluam unë dhe Meviol Bilo. Askush nuk e dinte çfarë vepre kishte bërë ai. Ai është hero, nuk mund të arrestohet. Kosova dhe Shqipëria duhet t’u thonë faleminderit këtyre djemve që lënë vend për Atdheun e tyre. Kosova ende sot na ka në listën e të humburve, mendojnë se ne vdiqëm në mision, sepse misioni dihet, por se kush e bëri, askush nuk e di. Por ne jemi gjallë, dhe unë prandaj jam në studion e Shqip, për ta treguar që ne jemi djemtë që rrëzuam Millosheviçin dhe i dhamë lirinë Kosovës.”, tregon zoti Jaupi për herë të parë në Dritare TV./L.F-dritare.net