
Helmim me salmonelë në kopshtin e Gramshit, reagon policia!
Dritare.net
Gjashtë fëmijë u paraqitën në spitalin e Gramshit për ndihmë mjekësore pas një helmimi të dyshuar në Kopshtin Nr.1 të qytetit, ku dyshohet se shkak është bërë salmonela. Policia e Elbasanit njofton se specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Gramshit kanë nisur hetimet dhe kanë referuar materialet në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Hetimet nisën pas raportimeve në rrjetet sociale për helmim masiv në këtë kopsht më datë 24 maj 2025.
Në spital janë kryer analiza për të gjithë fëmijët e prekur, si dhe për personelin e kopshtit. Janë sekuestruar kartelat klinike të 6 fëmijëve të shtruar, procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me ushqime të kopshtit, si dhe mostrat e ushqimit për ekzaminime laboratorike të mëtejshme. Gjithashtu, janë bllokuar produktet ushqimore që kanë mbetur në kuzhinën e kopshtit deri në përfundimin e hetimeve. Të gjitha veprimet po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
"Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për vlerësim, pasi më datë 24.05.2025 është marrë dijeni nga rrjetet sociale se në Kopshtin Nr.1 Gramsh janë helmuar nga salmonela disa nga fëmijët e këtij kopshti.
Në spitalin e Gramshit janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore 6 fëmijë dhe janë bërë analizat për të gjithë fëmijët dhe personelin e këtij kopshti. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar Kartelat Klinike për 6 pacientët e shtruar në spitalin e Gramshit, janë sekuestruar Procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të Kopshtit Nr.1, si dhe janë marre mostrat nga ushqimi për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike. Gjithashtu, është bërë dhe bllokimi i produkteve ushqimore të mbetura në kuzhinën e këtij kopshti. Të gjitha veprimet janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.", thuhet në njoftimin e policisë./K.C/dritare.net

















