
Hasanaj ironi me Bardhin: Pse të marrësh rrugën e vështirë sa një mal, kur mund të marrësh një kullë sa një mal!
Dritare.net
Anëtari i PD Sidi Hasanaj thotë se Berisha dhe Bardhi e shitën opozitën. Në një intervistë për Dritare TV, zoti Hasanaj tha se vetëm pak kohë më parë ishte Bardhi ai që ka akuzuar jo pak herë Berishën, si përgjegjës për CEZ, tragjedinë e Gërdecit, e një sërë aferash të mëdha korruptive në vend ndërsa tani, del krah për krah me të.
“Bardhi e ka quajtur zotin Berisha përgjegjës për korrupsionon e CEZ, Gërdecit, kullave të Tiranës. Si qëndron e vërteta? Bardhi duhet të na e sqarojë. Bardhi ka thënë që Berisha ka mbaruar punë me PD që në 9 shtator të 2021 me vendim të DASH? Çfarë ka ndryshuar sot? Ka qenë një iluzion i Bardhit dhe sot ka ndryshuar?”, u shpreh Hasanaj.
Më tej, në formë ironie Hasanaj tha se Bardhi e di që i vetëm nuk ia del, ndërsa bashkimi me Berishën ka si pasojë një opozitë farsë dhe të shitur.
“E vërteta është që opozita e Bardhit sot ka bërë një ekuacion regresiv. çfarë është ky ekuacion? Kanë thënë, ne në luftë me Berishën, Ramën, Metën, ka shumë kosto. Do marrësh shumë goditje. Ndërkohë gjatë kësaj kohe nuk mund të marrin asnjë përfitim ekonomik. Sepse do të jenë thjeshtë deputetë në opozitë.
Nuk mund t’i hyjmë detit në këmbë kështu që ne do të jemi që do të jemi në opozitë, pse të ndjekim rrugën e vështirë, më mirë marrim një kullë të madhe sa një mal dhe rrimë në opozitë”, u shpreh Hasanaj në Dritare TV./L.F-dritare.net

















