Hapet Muzeu Arkeologjik në Durrës, Blendi Gonxhja: Një hap i madh për kulturën
Dritare.net

Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar sot në qytetin e Durrësit, u inaugurua Muzeu i ri Arkeologjik, një nga projektet më të rëndësishme kulturore në vend vitet e fundit.

Ministri i Kulturës Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë projekt historik për trashëgiminë kulturore të vendit.
Në fjalën e tij, ministri theksoi rëndësinë e Durrësit si një nga qendrat më të hershme të qytetërimit në rajon dhe një “arkiv i hapur mesdhetar”, ku ndërthuren historia, kultura dhe zhvillimi ekonomik.

Muzeu, i cili përfaqëson një ndër institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare, është restauruar plotësisht dhe është rikonceptuar sipas standardeve bashkëkohore. Ai tashmë ekspozon mbi 3200 artefakte që rrëfejnë historinë e pasur të qytetit, nga antikiteti ilir deri në periudhat romake dhe më tej.

Një element i rëndësishëm i këtij projekti është përdorimi i teknologjisë moderne për të krijuar një përvojë interaktive për vizitorët, duke e kthyer muzeun në një hapësirë aktive dhe edukative, veçanërisht për të rinjtë dhe fëmijët.

Për 15 ditët e para pas hapjes, muzeu do të jetë i aksesueshëm pa pagesë për publikun, duke synuar të tërheqë sa më shumë vizitorë vendas dhe të huaj./L.F-dritare.net