
Grua apo burrë? Emmanuel dhe Brigitte Macron do të paraqesin prova shkencore në gjykatë
Dritare.net
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, pritet të paraqesin prova fotografike dhe shkencore në një gjykatë amerikane, me qëllim të rrëzimit të pretendimeve të përhapura nga influencuesja e djathtë amerikane, Candace Owens, e cila ka deklaruar se zonja Macron ka lindur mashkull.
Avokati i çiftit, Tom Clare, tha për podcast-in e BBC-së Fame Under Fire se akuzat kanë qenë "jashtëzakonisht fyese" për zonjën Macron dhe një "shqetësim" për presidentin francez. “Kur familja është nën sulm, kjo ndikon tek secili, edhe nëse je president i një vendi,” – u shpreh Clare.
Ai konfirmoi se do të ketë dëshmi ekspertesh me bazë shkencore, pa dhënë hollësi për natyrën e tyre, por theksoi se çifti është i gatshëm të provojë “plotësisht, si në mënyrë gjenerike ashtu edhe specifike” se pretendimet janë të rreme. Avokati shtoi se, megjithëse procesi është i pakëndshëm për zonjën Macron, ajo është e vendosur ta përballojë.
Ndër provat që mund të paraqiten në gjykatë janë edhe fotografi të Brigitte Macron shtatzënë dhe duke rritur fëmijët e saj, të cilat, sipas avokatit, ekzistojnë dhe do të shfaqen para trupit gjykues.
Candace Owens, ish-komentatore e platformës konservatore Daily Wire, ka përsëritur disa herë akuzat ndaj zonjës Macron, duke thënë madje se do të “vërë në lojë gjithë reputacionin e saj profesional” mbi këtë pretendim. Origjina e teorisë së konspiracionit lidhet me një video të vitit 2021 nga blogeret franceze Amandine Roy dhe Natacha Rey.
Në vitin 2024, çifti Macron fitoi një proces për shpifje në Francë kundër Roy dhe Rey, por vendimi u rrëzua në apel në vitin 2025 mbi bazën e lirisë së shprehjes, pa u shqyrtuar vërtetësia e pretendimeve. Ata aktualisht janë në proces ankimi.
Në korrik 2025, çifti ngriti padi në SHBA kundër Candace Owens, duke e akuzuar atë se “shpërfilli çdo provë të besueshme” dhe preferoi të amplifikonte teoricienë konspiracionesh dhe shpifës të dëshmuar.
Nga ana tjetër, avokatët e Owens kanë kërkuar hedhjen poshtë të padisë, duke argumentuar se çështja nuk duhej të ishte ngritur në Delaware, pasi nuk lidhet me aktivitetet e saj të biznesit në atë shtet. Ata pretendojnë se mbrojtja e çështjes atje do të shkaktonte “vështirësi të konsiderueshme financiare dhe operacionale”.
Në një intervistë për Paris Match këtë verë, Emmanuel Macron shpjegoi arsyen e padisë:
“Kjo është për nderin tim! Sepse kjo është marrëzi. Dikush që e dinte shumë mirë se kishte informacion të rremë dhe e përdori me qëllim për të dëmtuar, në shërbim të një ideologjie dhe lidhjeve me liderë të së djathtës ekstreme.”
Procesi pritet të zgjasë, pasi sipas ligjit amerikan për shpifjen ndaj figurave publike, Macronët duhet të vërtetojnë se Owens veproi me vetëdijen se po përhapte informacione të rreme ose me shpërfillje të plotë ndaj së vërtetës./L.F-dritare.net

















