
Dy goditje poshtë brezit nga Greqia ndaj turizmit shqiptar
Dritare.net
Nga Dritan Hila
Shqipëria ka disa vite që po tregon një trend në rritje të turizmit, kjo duket qartë edhe nga shumëllojshmëria e gjuhëve që dëgjon në plazhet apo rrugët e qyteteve tona por edhe nga mediat e huaja të cilat po shkruajnë për zbulimin e Shqipërisë si një destinacion i jashtëzakonshëm turistik. Aq e fortë është kjo sa infrastruktura e aeroporteve dhe porteve po përmbytet nga fluksi, nuk po flasim për flukset rrugore të cilat janë tej mbushur si asnjëherë tjetër, por dua të flas për flukset e turizmit detar dhe transportit të tyre.
Edhe ky turizëm ka njohur rritje të jashtëzakonshme këto 5 vitet e fundit aq sa është shumë e vështirë që në gusht të udhëtosh me tragete në Durrës, Vlorë dhe Sarandë pa folur pastaj për atraksionet turistike si Lumi Shalës apo liqenet e lumenjtë e tjerë të cilët tej mbushen mbi limite dhe duhet te prenontosh disa ditë para për t’i vizituar. Kjo është panorama e përgjithshme e një rritje që po shënon të ardhmen e turizmit tonë por që disa arritje kanë shqetësuar edhe fqinjët tanë pasi shikojnë te Shqipëria një forcim të ardhurash kombëtare dhe po na sfidojnë në heshtje.
Nga informacionet e institucioneve dhe të dhënat e hyrje daljeve në porte dhe aeroporte vërejmë se ka një kërkesë të fortë për të ardhur në Shqipëri dhe duke parë që portet dhe aeroportet janë mbi kapacitete por përdorin edhe portet dhe aeroportet e vendeve fqinje. Është e njohur tashmë se një numër i madh turistësh përdorin aeroportet e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi për të arritur Shqipërinë. Gjithashtu një super bum ka aeroporti dhe porti i Korfuzit të cilët kanë qenë shumë mbi kapacitetet pasi turistë nga vendet nordike dhe të Beneluksit po përdorin këtë aeroport për të arritur jugun e Shqipërisë. Nga ky fluks transporti detar mes Korfuzit dhe Sarandës është rritur me 40% me transport deri në 6 mijë pasagjerë në ditë vetëm Korfuz-Sarandë kjo sepse ka mungesë aeroporti në jugun e Shqipërisë deri sa të fillojë aeroporti Vlorës i cili pritet me shumë interes të hapet.
Por kjo rritje kapacitetesh dhe përdorim të aseteve aeroportuale të fqinjëve sidomos Greqisë ka sjellë alarm dhe xhelozi shumë të madhe sidomos të Greqisë e cila e shikon zhvillimin e Shqipërisë të shpejtë dhe të pandalshme. Kjo u pa në fundin e muajit gusht kur një operacion i ministrisë në detin e Greqisë, në heshtje pa zhurmë dhe shumë sfidues ndodhi në portin e Korfuzit. Një grup inspektorësh të ardhur nga Athina dhe me gjithë kontrollin portual të Igumenicës dhe Korfuzit inspektuan anijet me flamur shqiptar të linjës Sarandë-Korfuz. Nga kontaktet me anijet me flamur shqiptar u tha se inspektorët grekë ishin shumë tendenciozë dhe të prerë dhe kishin pikësynime të qarta dhe të prera për të goditur anijet me flamuj shqiptar të cilat vetëm në korrik të 2024 kishin dalë nga lista e zezë dhe kishin kaluar në listën gri.
Në fund inspektorët grekë bllokuan 2 anije direkt, ndaluan anijet me flamur shqiptar që të merrnin vetura dhe lanë gjetje për disa anije të tjera dhe sulmi u përqendrua te kompania më e mirë që kemi ne në fushën e transportit të pasagjerëve në Sarandë. Ky inspektim nuk u la me kaq por 2 javë më pas në fillim të shtatorit inspektorët u kthyen prapë në Korfuz dhe goditën edhe dy anije të tjera me flamuj shqiptarë duke i bllokuar dhe çuar numrin e anijeve të bllokuara në 4 dhe duke goditur rëndë transportin e anijeve me flamur shqiptar në linjën Sarandë-Korfuz. Nga e gjitha kjo duken qarte dy grushte poshtë brezit që po na jep Greqia në sektorin e turizmit detar dhe linjave të pasagjerëve dhe negociatave për anëtarësim në BE.
Me bllokimin e anijeve me flamur shqiptar rrezikohet që vitin tjetër Shqipëria të kthehet në listën e zezë për anijet me flamur shqiptar sepse kemi numër të vogël anijesh dhe bllokimi i çon direkt mbrapsht në kohën e listës zezë duke parë që u deshën 5 vite për të dalë nga lista e zezë dhe duke ditur se kalimi në listën gri është një nga kushtet e negociatave me BE tregon qartë që këto bllokime kanë prapavijë të fortë politike pasi në 2027 Shqipëria mund të ketë probleme me listën e zezë të anijeve me flamur shqiptar pasi do përmendet si mos plotësim kushti.
Nga goditja e anijeve me flamur shqiptar goditen linjat dhe fluksi i turistëve që do kalojnë nga porti Korfuzit drejt Sarandës pasi asnjë autoveturë nuk do lejohet të hipë në anijet me flamur shqiptar si dhe do godasë biznesin e linjave të transportit të pasagjerëve duke tentuar të fusin në linjën Sarandë-Korfuz kompani greke të cilat duan t’i nxjerrin nga biznesi pasi rritja e ardhjes së pasagjerëve në Shqipëri ka rritur oreksin e kompanive gjigante greke të cilat kanë parë interesa të mëdha në linjat Sarandë-Korfuz. Linjat Sarande-Korfuz ishin të vetmet linja që kishin 75-% anije me flamur shqiptar dhe të ardhurat kryesisht vinin në Shqipëri pasi linjat e tjera në Durrës dhe në Vlorë janë linja me kompani italiane dhe greke dhe asnjë linjë shqiptare nuk ka mundur të mbijetojë në Vlorë e Durrës pasi është goditur rëndë nga shtetet si Italia e Greqia duke e bërë monopol të tyre transportin detar të pasagjerëve. Edhe linja e vetme Sarandë-Korfuz po goditet dhe po shkatërrohet me qëllime të afërta dhe të largëta. Po goditet flamuri shqiptar duke e zhytur në listën e zezë dhe krijuar precedentë shumë të rëndë për transportin detar të flotës detare të anijeve pasagjere dhe kargo.
Me këto goditje poshtë brezit Greqia po vepron me shpejtësi dhe me dinakëri prandaj duhet reagim i shpejtë dhe i fortë. Koha për reciprocitet./dritare.net

















