Goditet grupi i trafikut të femrave, 7 të arrestuar në Tiranë. Organizatori në pranga në Kolumbi
Dritare.net

Një grup kriminal që trafikonte vajza nga Azia Qendrore dhe Amerika Latine drejt Shqipërisë, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, është shkatërruar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.
Operacioni i koduar “Rrjeti” çoi në ekzekutimin e 7 masave “arrest me burg”, 2 masa “detyrim paraqitje”, ndërsa 2 persona të tjerë u shpallën në kërkim. Koka e grupit, kolumbiani Lukas Betancur, u arrestua në Kolumbi.
Në Shqipëri u vunë në pranga: Assel Adrysheva, Rostyslav Mieshkov, Denis Berisha, Mirel Shpërdheja, Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Kejvin Ndreu. Gjithashtu, 48 vajza të huaja janë vënë nën hetim për ushtrim prostitucioni.
Roli i grupit kriminal
Lukas Betancur rekrutonte vajza nga Amerika Latine, u organizonte udhëtimin dhe akomodimin në Shqipëri. Në rast refuzimi, viktimat kërcënoheshin me familjarët e tyre në Kolumbi.
Dritan Sukaj ishte krahu i djathtë në Tiranë, duke menaxhuar rrjetin dhe akomodimin e vajzave.
Ilmar Gugashi kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Çollaku”, i cili përdorej për ushtrimin e prostitucionit.
Assel Adrysheva dhe Kejvin Ndreu shfrytëzonin disa shtetase nga Kazakistani, duke i strehuar në hotel.
Denis Berisha u jepte drogë vajzave dhe siguronte klientë.
K. P., i arrestuar më parë, administronte fitimet dhe i transferonte përmes kriptovalutave në llogaritë e Betancur.
Prova dhe sekuestrime
Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash, 7 celularë dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë hetimin.
Policia e Tiranës deklaroi se hetimet ndaj këtij grupi kishin nisur prej shkurtit 2025 dhe konfirmoi se rrjeti kishte përmasa ndërkombëtare, me lidhje mes Shqipërisë, Amerikës Latine dhe Europës./L.F-dritare.net