
Gjuhëtarja: Pse vihet në dyshim autoktonia e shqiptarëve!
Dritare.net
Prof.Dr. Anila Omari, gjuhëtare dhe leksikografe e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për autoktoninë e shqiptarëve. Gjuhëtarja tregon se përse u vu në dyshim autoktonia e shqiptarëve në shekullin e XX-të nga gjuhëtarë shqiptarë dhe të huaj. Ajo që pranohet nga shumë gjuhëtarë dhe albanologë është teza ilire. Por disa përkrahin tezën trake. Ka dhe nga këta gjuhëtarët e rinj, thotë akademikja, që hedhin poshtë tezën ilire dhe trake dhe thonë se shqipja është vazhduese e një gjuhe protoshqipe po aq të lashtë. Ndërsa etimologu Eqerem Çabej, thotë gjuhëtarja, shpjegon me një studim të mirëfilltë origjinën ilire të shqiptarëve.
“Gjuhëtarët shqiptarë kanë hasur tejet vështirësi të vërtetojnë tezën e autoktonisë, pra praninë e shqiptarëve në trojet ku janë sot. Deri në shekullin e XIX-të nuk vihej në dyshim autoktonia e shqiptarëve dhe prania e tyre në Ballkan.
Madje në shekullin e XIX-të u përhap gjithashtu edhe teza e pellazgjishtes. Kjo tezë u përhap më së shumti nga historianë dhe më pak nga gjuhëtarë.
Lidhjen e shqipes me pellazgjishten e përhapi Georg von Hahn që mbahet si babai i albanologjisë. Ai nuk ishte gjuhëtar, por ka shkelur me këmbë një pjesë të madhe të territorit shqiptar. Ka qenë konsulli austro-hungarez në Janinë, me formim jurist. Në botimet e tij, ai jep shumë të dhëna për vendet ku ka shkelur, zakonet dhe autoktoninë e shqiptarëve. Ai foli edhe për lidhjen e shqiptarëve me pellazgët dhe ndikoi që teza e tij të përhapet. Në fillim të shekullit të XX-të me lindjen e gjuhësisë shkencore dhe gjuhësisë historiko-krahasuese u la mënjanë teza pellazge.
Historianët dhe gjuhëtarët që duan të bazohen në fakte shkencore, e kanë cilësuar si mitologji këtë tezë. Ndaj të flasësh sot për tezën pellazge do të thotë të kthehesh 200 vjet pas. Ky është një debat i mbyllur.
Në shekullin e 20-të u vu në dyshim autoktonia e shqiptarëve. Argumentet për prejardhjen e shqipes ishin kryesisht historike. Johan Tuman mendonte që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. Edhe gjuhëtarë të tjerë indoevropianistë nuk e vinin në dyshim dhe ishin për prejardhjen ilire të shqipes. Jokli kishte tezën trake, iliro-trake, si dy gjuhë që kishin marrë dhe dhënë me njëra-tjetrën. Ai e vendoste djepin e shqiptarëve në trekëndëshin Nish-Sofie-Shkup duke u bazuar te toponomastika. Kjo e spostonte pak atdheun e shqiptarëve. Janë disa nga këta gjuhëtarët e rinj që kanë hedhur poshtë tezën ilire e trake dhe mendojnë se shqipja është vazhduese e një gjuhe protoshqipe po aq të lashtë, diku në Ballkan. Por kjo nuk qëndron. Sepse autorët antike nuk i kanë lënë pa përshkruar gjuhët e lashta, siç ishin ilirishtja, trakishtja, maqedonishtja e vjetër. Por kjo ndjesia e lashtësisë i ka ndjekur shpesh shqiptarët.
Autoktonia u vu në dyshim nga një artikull i gjuhëtarit të shquar gjerman Gustav Vajgandi. Ai shtroi një artikull me titullin: “A janë shqiptarët pasardhës së ilirëve apo trakasve?”, në të cilin e vuri në dyshim prejardhjen ilire, me 12 teza. Ai e lidhte më shumë prejardhjen e shqiptarëve me trakasit, e spostonte atdheun e shqiptarëve më në lindje të Ballkanit. Një nga argumentet ishte mungesa e terminologjisë detare që në shqipe nuk është, sepse është e huazuar. Edhe marrëdhëniet me rumanishten nuk hidhen poshtë. Janë dy popuj që janë rritur bashkë që në lashtësi.
Gjuhëtarët shqiptarë mbas luftës, kryesisht Çabej me një sërë artikujsh shkroi për autoktoninë e shqiptarëve, problemin e vendformimit të shqipes, duke përcaktuar një metodë shkencore, që u bazua te toponimet e vendeve. Çabej u bazua tek ato toponime që nuk lëvizin, që janë lumenjtë, ujërat. Këto emërtime janë të lashta. Duke u bazuar të lumenjtë kryesore të Shqipërisë arriti në përfundimin se këto lumenj të Shqipërisë kanë kaluar në mënyrë të pandërprerë në gojën e shqiptarëve që nga antikiteti. Ky ishte një punim shkencor që u pranua sepse ishte me baza shkencore. Edhe arkeologet dhanë kontributet e tyre pasi gjetën afërsi më artefaktet ilire. Konkluzioni i Çabejt nga të gjitha studimet ishte që shqiptarët kanë përjetuar një restrikcion, ngushtim të territoreve të tyre. Ka qenë një shtrirje më e gjerë që përfshinte dhe këto skaje dhe trojet e sotme, por ka ardhur duke u rrudhur.”, tregon gjuhëtarja në DritareTV./K.C/dritare.net

















