
Në mars 1998, u shua familja Jashari. Si vranë serbët 56 burra, gra e fëmijë!
Dritare.net
Ish-pjesëtari i UÇK-së Dritan Goxha ishte sot në Dritare TV ku tregoi se çfarë ndodhi në marsin e 1998-ës me familjen e Adem Jasharit në Prekaz. Goxhaj u shpreh se në datat 5-6-7 mars ushtria serbe ndërmori një sulm për të vrarë familjen me 60 pjesëtarë të Jasharit, në banesën e tij në fshatin Prekaz.
“Atë ditë në Prekaz ishte një sulm i koordinuar i policisë dhe ushtrisë serbe kundër grupit të Drenicës i cili udhëhiqej nga Adem Jashari, i cili përbënte grupin e armatosur të Drenicës, sepse në atë kohë Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e organizuar në grupe të armatosura të ndara në bazë të zonave të ndryshme. Këto grupe vepronin në koordinim me njëra-tjetrën duke kryer herë veprime tek e tek por edhe në grup. Më datë 3 dhe 4 mars forcat e UÇK-së të grupit te Drenicës të udhëhequra nga Adem Jashari sulmuan dy stacione policie dhe një vendqëndrim të ushtrisë serbe të ndodhura në Drenicë dhe forcat serbe vendosën të hakmerren për ketë veprimtari të këtij grupi të armatosur të UÇK-së duke organizuar një operacion të madh në fshatin Prekaz, aty ku ndodhej edhe familja e Adem Jasharit. Ishte hera e parë që pas daljes së UÇK-së publikisht ne 1997-ën dhe pas veprimeve të më hershme të saj prej ‘96 e këtej, që ushtria serbe nuk ishte e përfshirë në luftime kundër forcave te UÇK-së. Në këtë moment është hera e parë që ushtria merr pjesë në ketë operacion policor dhe ushtarak. Kemi një luftë të pabarabartë, kundër një familjeje. Sepse Adem Jashari ndodhej i ngujuar në këtë kompleks në te cilin jetonte me 60 anëtarë të familjes së tij, ku përfshihen gra, fëmijë, pleq. Pra shumë pak ishin meshkuj në të. Ishin 6000 forca ushtarake serbe, kundër 60 vetave. Një raport forcash 1 me 100. Për herë të parë kemi përdorimin e mjeteve të rënda dhe të tankeve në këtë luftim. Ka funksionuar me tre rrethime. Dy rrethimet e para qenë të drejtuara në drejtim të objektit, dhe i treti bënte rrethimin mbrojtës për dy rrethimet e para. Rrethimi i tretë ishte me shpine nga Adem Jashari dhe me fytyrë nga pjesa e jashtme e rrethimit, në mënyrë që të mos lejonte asnjë pjesëtar tjetër ose forca të UÇK-së që të ndihmonin Adem Jasharin. Luftimi zgjati 3 ditë dhe pothuajse numri i të vrarëve është i barabartë nga te dyja palët, pra edhe familja Jashari arriti t’u shkaktojë forcave serbe 62 të vrarë dhe 10 të plagosur, ndërsa nga familja Jashari kemi 56 të vrarë.”, u shpreh Goxhaj në DritareTV./K.C/dritare.net

















