
Ervin Salianji flet për herë të parë për burgun: Më e rënda ishte mungesa e...
Dritare.net
Pas rikthimit në politikën aktive, Ervin Salianji ka folur hapur për eksperiencën e tij të qëndrimit në burg gjatë nëntë muajve dhe gjysmë të fundit, duke e cilësuar mungesën e lirisë si pjesën më të vështirë të përvojës. Intervista u zhvillua në emisionin Dekalog me Roland Qafokun në DritareTV.
Salianji rrëfeu:
“Kanë qenë nëntë muaj e gjysmë. Nuk i kam numëruar ditët një nga një, sepse numëroja mbrapsht, nga dita kur do të dilja. Për një njeri aktiv, që jeton me ritëm të lartë, me takime të vazhdueshme me qytetarët, ishte shumë e rëndë të përfundoja papritur në një hapësirë ku nuk mund të lëvizje fare. Më e rënda ishte mungesa e lirisë. Derisa nuk ta heqin, nuk e kupton sa e rëndësishme është.”
Ai shpjegoi se dënimi i tij nuk ishte vetëm burgimi, por edhe humbja e mandatit parlamentar dhe pamundësia për të kandiduar përsëri:
“Ishte një lloj dënimi i shumëfishtë që nuk kishte të bënte me drejtësinë, por me eliminimin tim nga politika. Por nuk më kanë eliminuar nga politika.”
Salianji tha se qëndrimi në burg ishte kryesisht i vetëm, sipas protokolleve të sigurisë, dhe kushtet ishin të vështira:
“Unë kam qenë vetëm në qeli. Kushtet kanë qenë të vështira, nuk po them të tmerrshme, por jo të denja për njerëzimin. Nuk kishte as ngrohje, as ftohje. Besoj se një ditë duhet të diskutohet seriozisht edhe për kushtet në burgje dhe mënyrën si trajtohen ata që vuajnë dënimin.”
Salianji mbajti shënime të detajuara gjatë kohës në burg dhe ka planifikuar t’i botojë në një libër:
“Kam mbajtur ditar gjatë gjithë kohës në burg. Kam mbajtur shënime të detajuara, të cilat do t’i përmbledh në mënyrë të strukturuar. Besoj se do të botoj një libër me to.”
Ai tregoi gjithashtu se aktiviteti fizik, leximi dhe disiplina e ndihmuan të ruante energjinë dhe shëndetin:
“Leximi, aktiviteti fizik, disiplina, më ndihmuan të ruaja energjinë. Ishte mënyra ime për të mos u dorëzuar.”
Ai përfundoi duke e lidhur përvojën me qëndrimin e tij politik:
“Për mua, kjo është një medalje që e mora në përplasje me regjimin. Sigurisht, është një humbje e madhe, mbi 300 ditë të humbura, privim lirie, privim i të drejtës për të kandiduar, një dënim shumëdimensional. Por e shoh si pjesë të betejës sime politike.”/dritare.net

















