
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, duke e rikthyer titullin që mbante deri pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Trump, ky hap shënon një “ndryshim qëndrimi” për të forcuar imazhin luftarak të ushtrisë amerikane. “Është një ndryshim shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me qëndrimin. Është realisht për të fituar,” u shpreh ai gjatë ceremonisë në Zyrën Ovale.
Pentagoni reagoi menjëherë duke ndryshuar tabelat dhe titujt në selinë e tij në Arlington, Virginia. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tashmë figuron zyrtarisht si “Sekretari i Luftës”, ndërsa zëvendësi i tij, Steve Feinberg, si “Zëvendës Sekretari i Luftës”.
Ndryshimet e emrit të departamenteve qeveritare janë të rralla dhe zakonisht kërkojnë miratim nga Kongresi. Trump, megjithatë, ka sugjeruar se nuk është i bindur se i nevojitet patjetër një aprovim i tillë.
Departamenti i Luftës ishte emri origjinal deri në vitin 1949, kur Kongresi e riorganizoi Pentagonin dhe zgjodhi termin “Mbrojtje” për të reflektuar një epokë të re, të fokusuar më shumë në parandalimin e konflikteve sesa në përshkallëzimin e tyre./L.F-dritare.net

















