
Nota për 11 majin? Ja si përgjigjet kreu i KQZ-së!
Dritare.net
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi është shprehur se do të presë dhe respektojë vlerësimin përfundimtar të OSBE/ODIHR për procesin zgjedhor të 11 majit, duke shtuar se pavarësisht problematikave të evidentuara nga opozita, zgjedhjet përfaqësojnë një standard të rëndësishëm për një vend kandidat për në Bashkimin Europian.
I pyetur se çfarë note do t’i vinte vetë këtij procesi, Celibashi theksoi:
“Unë kam thënë që zgjedhjet për mua do të kenë dhe kanë atë vlerësim që do të bëjë misioni i OSBE-së. Raporti i tyre përfundimtar ende nuk ka dalë, dhe unë do të pranoj çfarëdo note që ata do të vendosin për këto zgjedhje.”
Ai pranoi se qëndrimi i opozitës për të mos i njohur zgjedhjet është një problem që nuk mund të anashkalohet dhe që ngre pikëpyetje mbi standardet e procesit.
“Qartësisht, opozita ka thënë se nuk i njeh këto zgjedhje, dhe kjo është një situatë që të bën të reflektosh. Nuk është normale që opozita të shkojë në një qëndrim të tillë nëse gjithçka do të kishte funksionuar siç duhet.”
Megjithatë, Celibashi shtoi se, pavarësisht çdo problematike, zgjedhjet e 11 majit përfaqësojnë një proces që përkon me pritshmëritë për një vend që aspiron integrimin në BE.
“Mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje të cilat i bën një vend kandidat për në BE.”/E.P-dritare.net

















