
Elsa Lila rrëfen çastet e tmerrit: Si donin të më vrisnin në burg!
Dritare.net
Elsa Lila vjen me një rrëfim të pazakontë në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV. Artistja flet për librin e saj të parë “Mirë se erdhe në Rebibbia”, ku tregon arrestimin pa pasur faj më 16 mars 2022, izolimin në burg pa pasur mundësi kontakti me familjarët, tentativa për ta vrarë, miqësitë me vajzat shqiptare dhe ato italiane në burg. Elsa flet për akuzat që rëndonin ndaj saj edhe pse pa prova, edhe lirimin në fund me fjalët: “Na vjen shumë keq, kemi bërë gabim!”
“Burgu Rebibbia është një nga dy burgjet e Romës. Është burgu më i madh në Evropë në sektorin e femrave. Dhe fati deshi të më hidhte në këtë kaos dhe në një ambient surreal, ku kurrë nuk e kisha imagjinuar të shkoja. Atë mëngjes të tmerrshëm, 16 mars 2022 ndërkohë që unë flija paqësisht në orën 5 të mëngjesit më erdhën në shtëpi 7 policë të armatosur. E kthyen shtëpinë përmbys sepse kërkonin një dokument që sipas tyre e kisha unë, por që nuk u gjet asgjë. Dolën duarbosh. Edhe mua më arrestuan. Ata sekuestruan telefonin tim, iPhone 5, edhe iPad-in ngjyrë rozë të vajzës sime. Nuk kishte armë, nuk u gjet drogë, nuk u gjetën para se ndryshe unë do isha ende në burg. Atë mëngjes, kur më arrestuan, ndenja 3 ditë në burg dhe prita që të më kthenin mbrapsht, sepse kisha vajzën vetëm. Por jo vetëm që nuk u ktheva, por më futën në izolim 41 bis sepse akuza ndaj meje ishte shumë e rëndë, kishte të bënte me një grup kriminal. Deri në momentin që ata mbaruan hetime unë nuk komunikova me asnjë jashtë, apo edhe me klanet brenda burgut. Vetëm me një klan, nëpërmjet vajzës shqiptare që m’u gjend afër ato ditë dhe më mbrojtën nga njerëz që donin të më vrisnin. Sepse aty brenda siç ka të dënuara të pafajshme, ka edhe të dënuara me faj që nuk janë në ekuilibër mendor edhe e shfryjnë stresin e tyre diku tjetër. Mund të të dëmtojnë edhe rastësisht. Është një ambient me shumë probleme psikologjike.
Mua më mbajtën dy muaj në burg, nuk më bënë as gjyq. Kërkova me ngulm të më merrte në pyetje prokurori. Unë nuk i njihja të arrestuarit e tjerë, veç dy miqve të mi prej fëmijërisë që ishin në Romë si emigrantë. E gjithë lidhja ishte vetëm kjo. 29 persona janë akoma në burg. Veç unë kam dalë. Nuk e di nëse ai grup ekzistonte apo jo. Sepse unë nuk jam pjesë e asnjë lloj grupi. Nuk kishte prova për akuzat ndaj meje. Ndërkoha që unë isha në burgim, u zbërthye telefoni im, celula im nuk rezultoi në ato lartësi gjeografike që operonte grupi kriminal. Unë operoja veç në Romë, ndërsa ai grupi ishte jashtë Romës, në vende që unë s’kam qenë kurrë. Unë arrestohem në 2022-shin dhe duhet të jepja llogari për ngjarje të ndodhura nga janari deri në qershor të 2019-ës. Edhe u arrestova pas 3 vjetësh. E tmerrshme. Në ato 6 muaj, që duhet të përgjigjesha unë kam bërë vetëm gjëra artistike. Në janar të atij viti sa isha regjistruar në kursin e esperantos dhe në qershor mbrojtja nivelin e parë të esperantos. Avokati im i nxori prokurorit diplomën time të atij viti. Unë kisha një Airbnb, biznes timin të vogël. Pasi panë që nuk kisha faj e mbyllën çështjen me fjalët: “Na vjen shumë keq, kemi bërë gabim.”, rrëfen artistja.
Këtë verë, Elsa iu kushtua shkrimit të librit, të shkruar në mendje dy vjet më parë, edhe në letër në 2024-ën. Ajo thotë për gazetaren Rudina Xhunga se e shkroi këtë libër jo për të treguar se përse isha e akuzuar penalisht, por se çfarë përjetohet në burg, duke qenë i pafajshëm apo i fajshëm. Universi, thotë artisja, më çoi në burg jo për të më dënuar, por për ta kuptuar jetën më mirë.
“Në momentin që u arrestova, kërkoja të kuptoja pse fati më kishte bërë këtë sfidë të madhe në jetën time. E vlerësova më shumë lirinë time si njeri që e kisha humbur si koncept. Vlerësova më shumë vajzën, dashurinë për të, për familjen time. Sepse kur je aty brenda gjërat të amplifikohen dhe ti e ndien veten me fat për çdo gjë që ke jashtë.
Pastaj kuptova që universi më kishte çuar atje jo që të më dënonte, por të më bënte një njeri më të mirë, të më jepte disa mjete që ta kuptoja jetën më mirë. Atëherë, vendosa që ta përjetoja atë eksperiencë, duke memorizuar nga ajo çdo gjë. Gjatë kësaj vere u mbylla dhe e shkrova të gjithë librin. Gjithçka është reale në libër. Kam derdhur atë që shkrova në mendje dy vite më parë. Të gjitha personazhet në libër janë reale, janë shoqet e mia të dhomës, vajzat shqiptare dhe italiane që më mbrojtën e më ndihmuan. Unë nuk bëra një libër për të treguar se përse isha e akuzuar penalisht. Por tregova se çfarë përjetohet në burg, nëse je i pafajshëm ose i fajshëm. Doja të tregoja aspekte të burgut që njerëzit e thjeshtë nuk kanë se si t’i dinë. Të shkruarit është terapia më e mira që mund të bëja me specialistë të fushës. Kam kaluar momente emotivisht të ngarkuara gjatë shkrimit të librit, më kapte trishtimi, e qara, kështu e lija për dy ditë dhe vazhdoja sërish. Në këtë libër doja të isha e sinqertë fillimisht me veten time, sikur isha përballë pasqyrës edhe po i tregoja Elsës tjetër çdo ditë se çfarë ndodhi atje brenda në burg.”, tregon artistja për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV./K.C/dritare.net

















