
Dosja 5D/ GJKKO dënon 5 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës për shkelje në tendera
Dritare.net
GJKKO ka dënuar 5 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës në kuadër të fraksionit të dytë të çështjes “5D”, për akuzën “Shkelja e barazisë në tendera”.
Eglantina Zere u dënua me 1 vit burg (i reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar). Ajo, si anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzohet se ka favorizuar në mënyrë të paligjshme kompaninë “5D”.
Katër të pandehur të tjerë – Enkeljda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha dhe Kristo Zhulati – u dënuan me nga 9 muaj burg, të cilët u reduktuan në 6 muaj.
Sipas SPAK, tenderat e zhvilluar nga Klubi Sportiv Tirana dhe Tirana Parking u fituan në kundërshtim me ligjin nga kompania “5D”, në pronësi faktike të ish-drejtorëve të bashkisë Redi Molla dhe Mariglen Qato.
U provua se komisioni i vlerësimit ka shkelur rregullat e prokurimit publik, duke favorizuar operatorët e paracaktuar si fitues të tenderëve.
Më 28 maj, për të njëjtën dosje u dënuan edhe Deborah Keçi (drejtoreshë e Klubit Sportiv Tirana) dhe 3 persona të tjerë: Teuta Guri, Renaldo Gjerazi dhe Jetjon Mera./L.F-dritare.net

















