Detaje të reja nga arrestimi i Ervin Matës. Pritet ekstradimi në Shqipëri
Dritare.net
Autoritetet shqiptare kishin mbi dy vite që monitoronin lëvizjet e Ervin Mata në disa vende të Amerikës Latine, deri në momentin e arrestimit të tij nga policia braziliane. Gjatë ndalimit, atij iu sekuestruan dokumente të falsifikuara, përfshirë një pasaportë bullgare të skaduar në vitin 2024 dhe një kartë identiteti bullgare të vlefshme deri në vitin 2029. Po ashtu, iu gjet edhe një kartë identiteti e Paraguajit, ku si vendlindje figuronte Mbretëria e Bashkuar.
Sipas burimeve, Mata kishte krijuar një bazë lëvizjeje mes Paraguay dhe Brazil, duke u shoqëruar me persona të lidhur me grupe kriminale lokale. Dyshohet se ai ka qëndruar për periudha të caktuara në Paraguaj dhe ka kryer lëvizje të shpeshta mes dy vendeve. Identiteti i tij u konfirmua nga Interpol pas verifikimit të të dhënave të dërguara nga autoritetet braziliane.
Në vitin 2023, Mata u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal prej 11 personash, i dyshuar për trafikim të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Ai akuzohet për koordinimin e një sasie prej 250 kg kokaine të nisur nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në vitin 2020. Për këtë çështje, GJKKO kishte caktuar masën “arrest në burg”.
Hetimet e mëtejshme e lidhin atë edhe me aktivitete të tjera kriminale në Shqipëri, përfshirë dyshime për pastrim parash dhe përfshirje në ngjarje të rënda kriminale. Mata është bërë i njohur edhe pas konfliktit me Ervis Martinajn në vitin 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ngjarje që përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës./L.F-dritare.net