Na ndiqni edhe në

Editorial

Delvina ime u dogj!

Delvina ime u dogj!

Rudina, u dogj Delvina e bukur, më thotë Vera, kur e telefonoj ta pyes si është. Vera Çeço ka 50 vjet që mbledh bimë nëpër male. Zonja e bimëve magjike e quajta në emisionin që xhirova për të në Delvinë. Nuk kam parë kurrë zjarr të tillë, thotë. Kurrë. Dhe ti e di që nuk kam lënë mal pa u ngjitur. Nisi në Syrin e Kaltër. Atje ka lagështi toka, nuk merr dot zjarr. Pastaj nisi një erë papritur dhe për dy orë u dogjëm. Delvina e bukur u dogj, thotë Vera në lot. Po ti, i them, si je ti? Bimët e tua. Magazina e madhe plot thasë me çajra.

Delvina ime u dogj!

– Jo, për fat, thotë. Kemi hapur një pus në oborr dhe në tre kate ka sistem fikës zjarri. Dje ndenjëm në punë, merr ujë e lag vendin. Edhe sot. Ndaj shpëtuam. Po të tjerët jo. Njerëz që tërhiqnin bagëtinë e ec e qaj, me flaket pas, si në fotot kur lanë Çamërinë, moj Rudina.

Një dorë e zezë e ka bërë. Nuk ka rënë kurrë zjarr këtu. Këto male i njoh mirë. U dogjën ullinj 100-vjeçarë. Si thua ti, jetuan ato 100 vite? Njerëzit hidhnin ujë, por nuk ia dilnin dot. Zjarrfikësit ishin aty, por ku të futesh? Nuk futesh dot në ato shtëpi, moj bijë, që janë bërë parcela-parcela. Nuk di si i futën makinat, si u hodhën vetë, si nuk kishin frikë. Djem nënash janë. Pastaj shumica u përqendrua te nafta. Flaka po shkonte atje. Mori lagjet. Ato lagjet e bukura nuk janë më. Delvina u bë shkrumb. Delvina e bukur, u dogj – thotë Vera dhe nuk pranon që ishte vetëm flaka e gushtit të nxehtë. Erdhi nga Syri i Kaltër dhe qe dorë e zezë, thote ajo.

– Rudina, po ti ku je, – më thotë pastaj, sikur kujtohet. – Je në Tiranë? Të të çoj me postë çajrat e rinj, se i kam bërë gati.

Aty më kap mua ngashërima pastaj.