Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Debate në Komisionin e Ekonomisë, Braçe mbështet kërkesat e blegtorëve

Debate në Komisionin e Ekonomisë, Braçe mbështet

Në Komisionin e Ekonomisë u zhvillua sot një seancë dëgjimore me grupet e interesit lidhur me paketën fiskale, ku deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, doli hapur në mbështetje të përfaqësuesit të Shoqatës së Blegtorëve.

Braçe deklaroi se ankesat e blegtorëve nuk janë të reja dhe se ato janë ngritur prej vitesh pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave, por sipas tij nuk janë marrë seriozisht në konsideratë.

Ai theksoi se propozimet e bëra nga shoqatat nuk kanë kosto shtesë për buxhetin e shtetit, por janë thjesht rregullime të skemës aktuale.

Sipas Braçes, vonesat në marrjen e vendimeve po dëmtojnë drejtpërdrejt fermerët:

“Koha për ta është një lopë që kalon moshën, që nuk prodhon më shumë, një fermë që digjet, përmbytet.”
Deputeti kritikoi qëndrimin e Ministrisë së Bujqësisë, duke thënë se ministri aktual, ndonëse në detyrë prej dy muajsh, nuk ka reflektuar, por është shprehur i kënaqur me situatën aktuale. Po ashtu, ai tha se Ministria e Financave është në dijeni të problematikave.

Braçe hodhi edhe akuza ndaj përfaqësuesve të biznesit që, sipas tij, koordinojnë jo vetëm çmimet, por edhe sjelljen e tyre, duke nënkuptuar arsyet e mungesës së tyre në seancën dëgjimore./L.F-dritare.net